Flash News

E-TJERA

Nga nesër hyn në fuqi sistemi i ri EES në Schengen, ja çfarë duhet të dini

Nga nesër hyn në fuqi sistemi i ri EES në Schengen, ja

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar qytetarët shqiptarë se, duke filluar nga data 10 prill, në 29 vendet e zonës Shengen do të nisë funksionimin e plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES).

Ky sistem zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian.

Sistemi ka nisur të zbatohet pjesërisht që prej tetorit 2025 dhe do të aplikohet për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore në zonën Shengen.

Sipas njoftimit zyrtar, në hyrjen e parë pas datës 10 prill 2026, në pikën kufitare do të bëhet regjistrimi i:

të dhënave të pasaportës

fotografisë së fytyrës

gjurmëve të gishtërinjve

Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike do të sjellë refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.

Ministria paralajmëron se në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore, ndaj qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim.

Po ashtu theksohet se pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike, ndërsa nuk kërkohet aplikim paraprak për EES, pasi regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar.

Sistemi nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit, i cili mbetet maksimumi 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u bën thirrje qytetarëve të informohen paraprakisht dhe të planifikojnë udhëtimet duke marrë parasysh kohën shtesë për kontrollet kufitare.

Të fundit