Flash News

E-TJERA

Nga njohja te dashuria dhe krizat, psikologia flet në “Elevate”: Si ta shpëtojë një çift marrëdhënien sot?

Nga njohja te dashuria dhe krizat, psikologia flet në

Denisa Ndreka, psikologe e specializuar për marrëdhëniet në çift, e ftuar në emisionin “Elevate By Floriana Garo”, ka folur mbi natyrën e dashurisë, konfliktet në çift dhe ndryshimet kulturore në mënyrën se si njerëzit krijojnë marrëdhënie.

Sipas saj, dashuria është një mekanizëm i domosdoshëm për mbijetesë emocionale dhe sociale.

“Dashuria është një mekanizëm mbijetese, ne nuk do jetonim dot pa tjetrin. Ne që kur lindim jemi në kërkim të tjetrit që na bën të ndihemi të sigurt. Truri ynë është programuar për të kërkuar siguri, mbështetje, prezencë dhe njeriu nuk do jetonte gjatë nëse do ishte vetëm. Është përpjekja e vazhdueshme për të kërkuar një bazë të sigurt”, është shprehur ajo.

Duke folur për dashurinë në shoqërinë shqiptare, Ndreka thekson se ajo është ndikuar nga faktorë ekonomikë dhe socialë, ndërsa martesa është parë tradicionalisht si një formë sigurie.

“Nëse i referohemi kulturalisht është kërkuar gjithmonë një stabilitet ekonomik, social. Martesa është parë gjithmonë si një element që i jep siguri njerëzve për të ardhmen, për t’u ndjerë më të sigurt në këto dy plane. Sot, njerëzit orientohen drejt kërkimit të gjërave që i bëjnë të ndihen të sigurt, pra dashurisë romantike, në kontekstin e të pasurit dikë që i përgjigjet emocionalisht”, tha ajo.

Psikologia ka folur edhe për mënyrën se si janë ndryshuar njohjet mes çifteve, duke përmendur rritjen e përdorimit të aplikacioneve online.

“Gjithmonë e më shumë njerëzit njihen përmes aplikacioneve, jo sepse duhen, por sepse nuk ka shumë mundësi për t’u takuar ballë përballë. Njerëzit punojnë nga shtëpia dhe kontaktet sociale janë zvogëluar. Është mënyrë e zakonshme, por jo domosdoshmërisht më e thjeshtë”, u shpreh ajo.

Duke u ndalur te konfliktet në çift, Ndreka thekson se shpesh ato lindin nga mungesa e komunikimit dhe ndërhyrjet e jashtme.

“Ndonjëherë kur kufijtë janë të paqartë ka edhe konflikte, dhe këto konflikte bëhen burim i vazhdueshëm deri në divorc. Një ndarje e qartë e kufirit mes çiftit dhe familjes mund t’i ndihmojë çiftet të mos përballen me këto sfida. Konfliktet vijnë edhe nga komunikimi i paqartë dhe ndërhyrjet e jashtme”, tha ajo.

Sipas saj, ftohja në marrëdhënie ndodh kur partnerët nuk arrijnë të shprehin nevojat dhe nuk dëgjojnë njëri-tjetrin.

“Në disa çifte nuk arrin të krijohet ndjesia e sigurisë dhe lidhjes së mjaftueshme për të zgjidhur problemet, dhe aty lindin konfliktet e përditshme”, shtoi Ndreka.

Në fund, ajo ka dhënë edhe këshilla për zgjidhjen e konflikteve në mënyrë të shëndetshme, duke theksuar rëndësinë e komunikimit.

“Të ndalojmë dhe të kuptojmë çfarë na ka ngacmuar brenda nesh dhe çfarë na ka lënduar vërtet, dhe të flasim për lëndimin. Terapia nuk është për të përcaktuar kush ka të drejtë, por për të kuptuar se të dy partnerët kanë të vërtetat e tyre dhe të dy vuajnë në mënyrën e tyre”, përfundoi ajo.

 

Të fundit