Flash News

E-TJERA

Nga oborri i shkollës në kronikë të zezë/ Si po dështojnë institucionet përballë dhunës mes të miturve

Nga oborri i shkollës në kronikë të zezë/ Si po

Për fëmijët dhe adoleshentët, shkolla supozohet të jetë vendi më i sigurtë pas shtëpisë. Ata kalojnë aty pjesën më të madhe të ditës, edukohen dhe socializohen. Por sot, për shumë nxënës në Shqipëri, këto mure janë kthyer në skena frike. Nga bullizmi psikologjik te goditjet fizike, nga videot poshtëruese në rrjetet sociale dhe deri te përdorimi i armëve të ftohta. Sherre që nisin në oborrin e shkollës dhe vazhdojnë jashtë portës duke përfunduar në plagosje e fatkeqësisht edhe në humbje jete.

Çfarë po ndodh me fëmijët tanë? Cili është shkaku i kësaj dhunë të paprecedentë e cila sa vjen dhe shtohet?

Piranjat me gazetaren Avi Mema sjellin një investigim të detajuar në lidhje me dhunën mes të miturve dhe adoleshentëve në shkolla dhe sa të sigurtë janë ata në këto ambiente. Së bashku me ekspertë të arsimit, sigurisë, ekspertë ligjorë dhe sociologë kanë sjellë një pasqyrë të asaj se çfarë po ndodh në Shqipëri duke analizuar shkaqet që çojnë në ngjarje të tilla, duke e kthyer dhunën në shkolla në një nga fenomenet më shqetësuese për sigurinë e fëmijëve në vend.

Vetëm gjatë vitit 2024, në shkollat shqiptare janë raportuar qindra raste konfliktesh mes nxënësve, ku dhjetëra prej tyre kanë përfunduar me dëmtime fizike. Statistikat flasin për një situatë thuajse jashtë kontrollit.

Mbi 20 raste plagosjeje të qëllimshme nga të mitur janë regjistruar vetëm në dy vitet e fundit. Ndërkohë bilanci u bë tragjik kur një 14-vjeçar humbi jetën nga dora e një bashkëmoshatari, pranë shkollës ‘Fan Noli’ mes të kryeqytetit.

Në harkun kohor të një viti historia u përsërit. Në fund të nëntorit, një tjetër i mitur u qëllua me thikë, duke gjetur vdekjen pak ditë më vonë. Ngjarje që dikur i quanim të izoluara sot po përsëriten me një frekuencë shqetësuese, ndërkohë që institucionet, shkolla dhe ligji po mbërrijnë gjithmonë pas tragjedisë.E ndërsa prindërit i përcjellin fëmijët çdo mëngjes në shkollë, një pyetje mbetet pezull:

A janë sot shkollat shqiptare vertete të sigurta?

Funksioni edukues i shkollës është zbehur. Dhe kjo jo nga mungesa e strukturave, por nga mosfunksionimi i çdo hallke që duhet ta mbajë atë në këmbë. Për shumë prindër, ajo është kthyer thjesht në një vend ku çdo ditë duhet të ’dorezosh’ fëmijët. Një hapësirë ku çohen në mëngjes dhe merren pasdite, pa ditur aspak se çfarë ndodh brenda.

Por kush janë shkaqet që e kanë çuar shoqërinë tonë drejt shtimit të dhunës? Për të kuptuar pse këto raste po përsëriten, nuk na mjafton të ndalemi vetëm te pasojat...

Këto fakte të renditura nga ekspertët na dëshmojnë disa nga arsyet se përse situata të ndryshme në shkollë degradojnë në dhuna mes të miturve. Vërtetë mungesa e disiplinës në shkollë vjen si rezultat i mungesës së autoritetit nga ana e shkollës,...

Por duke mos lënë mënjanë edhe institucionin më të rëndësishëm në një shoqëri, atë të familjes.

Një nga problemet më shqetësuese nuk është vetëm dhuna vetë, por mënyra se si shoqëria po mësohet me të. Raste që dikur do të shkaktonin reagim të fortë publik, sot po kalohen si lajme të radhës duke u kthyer në një normalitet.

Por a jemi ne si shoqëri të vetëdijshëm se çfarë sjell mosreagimi dhe normalizimi i këtyre situatave?

Vetëm pak ditë më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport të zgjeruar në lidhje me funksionimin e sistemit të sigurisë në shkollat publike. Auditimi, i kryer në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, institucionet vartëse dhe strukturat e Policisë së Shtetit, ngre alarmin për dhunë fizike dhe verbale dhe vë në pikëpyetje efektivitetin e rolit të oficerit të sigurisë në këto institucione.

Ky raport zbulon se për periudhën 2021-2024 forma më e përhapur e problematikave në shkolla ishte dhuna fizike, me 892 raste të referuara gjatë periudhës së audituar. Pas saj renditet dhuna psikologjike dhe verbale, me 333 raste të raportuara, ndërsa bullizmi, një nga sfidat më shqetësuese për mjedisin shkollor është evidentuar 186 herë në të njëjtën periudhë. Po ashtu, kërcënimet, shantazhet dhe përndjekjet rezultojnë me 178 raste, ndërsa përdorimi i drogës, cigareve apo alkoolit shfaqet në 133 raste.

Këto që sapo degjuat nuk janë thjesht shifra, por një kambanë alarmi e konstatuar nga institucioni më i lartë auditues në vend.

Një raport i tillë për një vend të vogël si Shqipëria do të duhej të ishte një thirrje për SOS, nisur nga rastet e shumta të raportuara. Por ajo që e bën më shqetësuese sistuatën është fakti që publikimi i këtyre raporteve jo vetëm që nuk bëhet nga institucionet përgjegjëse për sigurinë e fëmnijëve, por madje shpeshherë janë këto që përpiqen të fshehin rastet.

Një tjetër gjetje e rëndësishme e raportit konstaton se oficerët e sigurisë shpesh punojnë pa kushtet minimale të dokumentimit dhe se kontrollet fizike dhe kontrolli i mjediseve nuk realizohen, megjithëse parashikohen në udhëzime. Në mungesë të këtyre standarteve, rreziku që incidentet të mos referohen, ose të trajtohen brenda shkollës në mënyrë të pasaktë e jo profesionale, mbetet real duke sjelle pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë e nxënësve.

Në çdo rast dhune pranë një shkolle, reagimi i parë që pritet është ai i policisë. Minutat e para janë vendimtare, për të ndalur përshkallëzimin e konfliktit dhe për të parandaluar pasojat fatale. Por në rastet e viteve të fundit në Shqipëri një element përsëritet vazhdimisht.

Dhuna jo vetëm që nuk ndalet në momentin kur nis, por ndërhyrja ose vonon, ose mungon plotësisht.

Dhe pikërisht ky boshllëk mes sinjalit të parë dhe reagimit institucional është ajo që, sipas ekspertëve, e lejon dhunën të shpërthejë.

Pas ngjarjeve të rënda me protragonistë të miturit në shkolla shpeshherë institucionet bëjnë ping pong me rastet duke mos ekspozuar përgjegjësit e vërtetë të rasteve fatale. Sidomos kjo kur bëhet fjalë për konflikte që ndodhin disa metra jashtë ambientit të shkollës.

Kur dhuna mes të miturve përfundon në pasoja të rënda, nuk kemi të bëjmë vetëm me një dështim social apo arsimor, por edhe me një problem ligjor. Në shumë raste, ndërhyrja ligjore vjen vetëm pasi ndodh tragjedia. Ndërsa mekanizmat parandalues, monitorimi i të miturve problematikë dhe përgjegjësia institucionale mbeten të paqarta.

Por nisur nga mosha e subjektit të veprës penale legjislacioni shqiptar shfaq natyrë lehtësuese ndaj autorëve të këtyrë veprave penale.

Siguria e nxënësve nuk është vetëm detyrë e policisë apo gjykatave, por fillon pikërisht në shkollë dhe ky rast tregoi dështimin e institucioneve për të garantuar jetën e të miturve brenda mureve të shkollës.

Mungesa e monitorimit të të miturve nga institucionet përkatëse nuk ka sjellë vetëm konflikte mes të mniturve, por edhe përfshirjen e tyre me qëllim në ngjarje kriminale.

Ku ne shumë raste të miturit shqiptarë përfundojnë viktima të përdorimit nga trafikantë të ndryshëm.

Siguria nuk mund të mbetet vetëm në dokumente dhe rregullore formale. Ajo kërkon bashkërendim mes institucioneve, monitorim të vazhdueshëm, trajnim të stafit arsimor dhe mekanizma ligjorë që reagojnë në kohë. Në një situatë të tillë tepër shqetësuese, ekspertet ndalen në një pikë thelbësore:

Ndryshime ligjore më të qarta, kontrolle më të shpeshta dhe më efektive në shkolla si dhe një sistem që funksionon përpara se dhuna të shpërthejë./ Syri tv

Të fundit