Flash News

E-TJERA

Nga problemet me memorien te njohjet me pronarët/ Çfarë deklaruan para ‘Hetimorit’ administratorët e inceneratorëve dhe drejtori i Alpetrol

Nga problemet me memorien te njohjet me pronarët/ Çfarë

Një prej të arrestuarëve në kuadër të aksionit që zhvilloi sot SPAK është administratori i inceneratorit të Fierit, Loran Dusha. Ky i fundit muajin e kaluar dëshmoi në Komisionin Hetimor që u ngrit për këtë çështje.

Ai dëshmoi para komisionit përmes lidhjes online, pasi tha se ishte infektuar me COVID-19. Dusha tha se nuk kishte informacion dhe se i duhej verifikonte pretendimin në lidhje me një transaksionin në vlerë 20 milion euro paradhënie të kryera nga kompania që ai drejton tek Integrated Technology Services që në fillim të kontratës koncesionare.

Dusha nuk mohoi pagesën as shumën, por nuk dha përgjigje dhe tha se “duhej të konfirmonte”. Ai u përgjigj po njëlloj pyetjeve prej deputetëve të opozitës për shpenzimet e kompanisë, pagesat për kompani të treta të akuzuar sipas opozitës për fatura fiktive dhe të ngjashme.

Dusha u pyet mbi marrëdhëniet me Klodian Zoton, pronar i shumicës së aksioneve në kompaninë që ai drejton, Mirel Mërtin, që ai tha se njihte si Drejtor i Kompanisë Integrated Technology Services dhe Stela Gugalljan, pronare e inceneratorit të Elbasanit. 

“Klodian Zoto është aksioneri i shoqërisë ku unë punoj, kryesori. Ndërsa z.Mirel Mërtiri ka qenë drejtor kompanisë Integrated Technology Services”, tha Dusha.

Dusha tha se nuk e mbante mend herën e fundit që kishte folur me Mërtirin, ndërsa i tha Komisionit se me Klodian Zoton kishte komunikuar para festave të nëntorit.

Ndërsa administratorja e inceneratorit të Tiranës Ariola Kodra shkoi në Komisionin Hetimor pasi u thirr disa herë. Ajo tha se kompania Integrated Energy BV SPV e kishte kryer dhe se Tirana është më e pastër.

“Sot qytetarët e Tiranës kanë një hapësirë moderne të trajtimit të mbetjeve, sot ajo situatë katastrofë nuk ekziston më. Ne jemi brenda afateve të vendosura nga kontrata për mbarimin e punimeve. Kontrata paraprake përfshin rehabilitim, rregullim të infrastrukturës së zonës, gjelbërim etj”, tha Kodra.

Ajo u pyet në lidhje për njohjen me Klodian Zoton, Stela Gugalljan dhe Mirel Mërtirin dhe tha se nuk i kishte momerizuar.

“Nuk jam e detyruar të kontaktoj me nënkotraktorë sepse kam një staf që kontaktoj. Unë kontaktet nuk i kam të drejta me nënkotraktorët, komunikoj nëpërmjet stafit tim. Unë s’e kam memorizuar këtë pjesën e takimit”, deklaroi Kodra.

Gjithashtu deklaroi se të gjitha përgjigjet e kërkuara nga Komisoni Hetimor do të jepeshin me shkrim, pasi nuk mund ti memorizonte të gjitha.

Një nga urdhër-arrestet e lëshuar është edhe për Florian Muçën, ish-administrator i kompanisë dhe aktualisht Drejtor në kompaninë Albpetrol. Florjan Muçaj gjithashtu ka qenë Administrator i Përgjithshëm i Bashkisë Fier dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të të njëjtit qytet.

Ndërsa Florjan Muçaj, ish-administrator i përgjithshëm i Bashkisë Fier dhe anëtar i komisionit të prokurimit të inceneratorit të të njejtit qytet, i tha Komisionit Hetimor, se nuk mund të dëshmonte, pasi ishte thirrur nga SPAK.

“Kam dhënë dëshminë time si pjesë e hetimit që zhvillohet prej tyre. Kam ardhur këtu në respekt të këtij Komisioni, por nuk mundem të vazhdoj më të jap dëshmi këtu në lidhje me atë çështje, sepse çdo gjë që mund të them këtu, mund të përbëjë një prishje të hetimit që është duke u zhvilluar nga SPAK-u”, deklaroi Muçaj.

Ish-administratori i bashkisë Fier, i cili tani drejton kompaninë shtetërore të naftës Albpetrol shtoi se deri në përfundimin e hetimeve ai mund të fliste vetëm me autorizimin e këtij institucioni.

“Në momentin që kam dhënë dëshminë përpara SPAK, jam informuar nga ana e tyre se nuk mund të flisja për këtë çështje me askënd tjetër”, theksoi Muçaj.

 

Të fundit