Flash News

E-TJERA

Nga qershori, vaji i lulediellit me mungesa në treg, importuesit kërkojnë ndryshimin e çmimit

Nga qershori, vaji i lulediellit me mungesa në treg, importuesit

Importuesit e vajit të lulediellit paralajmërojnë mungesa të produktit në treg duke filluar nga muaji qershor. Kjo për shkak se ka një rënie të ofertave në vendet importuese të Ballkanit si Serbia, Hungaria dhe Bullgaria dhe për shkak të çmimit të lartë me të cilin vaji po tregtohet.

Për Monitor, tregtarët janë shprehur se prej 1 muaji nuk po ambalazhojnë vajin e importuar sepse bordi i transparencës i cili përcakton çmimet e shportës së ushqimeve, e ka mbajtur të pandryshuar çmimin e vajit: 315 lekë për tregtarët dhe 321 lekë litri për konsumatorin.

Importuesit kanë pohuar se do t’i kërkojnë bordit të ndryshojë çmimin e vajit, pasi çmimi i furnizimeve është shumë herë më i shtrenjtë.

“Situata në importin e vajit të lulediellit është kaotike. Çmimet e vajit dhe transportit rriten çdo ditë, ndërsa nga bordi çmimet nuk rishikohen prej 3 javësh, me justifikimin që nuk janë bërë furnizime të reja dhe shitjet kanë rënë 50% nga depozitat që krijuan familjarët në muajin shkurt. Kjo situatë ka dëmtuar shumë operatorë të cilët prej më shumë se 1 muaj nuk ambalazhojnë vaj ushqimor, pasi çmimet e importit janë më të larta se ato të shitjes të përcaktuara nga bordi. Vendosja e çmimeve nga bordi i transparencës ka shfrenuar iniciativën e lirë të biznesit për të gjetur zgjidhje. Po shkojmë rreth një situate që rrezikohet të mos ketë vaj në treg duke nisur nga stina e verës. Për këtë arsye importuesit së shpejti do të intensifikojmë kërkesat për rishikim të çmimit nga bordi i transparencës, pasi përveçse jemi në vështirësi të gjetjes të mallit, nuk kemi likuiditet për blerje”, pohoi për “Monitor” një nga importuesit e mëdhenj të vajit të lulediellit.

Ministria e Financave miratoi propozoi skemën e garancisë sovrane duke garantuar 60% të shumës së kredisë për t’i ardhur në ndihmë importuesve me furnizimet. Megjithatë, vetë importuesit pohojnë se nuk ka nisur asnjë procedurë për të zbatuar garancinë e qeverisë.

Një pjesë e importuesve kanë arritur të sigurojnë sasi të limituara vaji nga Ukraina, megjithëse edhe më herët pohuan se vaji i tregtuar me 40 lekë më pak nga Ukraina, mbartte riskun e mbërritjes më vonesë në vend për shkak të luftës.

Të fundit