Flash News

E-TJERA

Nga rimbursimi i TVSH-së te fondi 1 mln €/ Veliaj takim me përfaqësuesit e transportit publik, çfarë u vendos

Nga rimbursimi i TVSH-së te fondi 1 mln €/ Veliaj takim me

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e  transportit publik, pasi këtë të fundit vendosën t'i drejtonin disa kërkesa bashkisë dhe të reduktonin numrin e urbanëve.

Veliaj ka vendosur të mos e heqë TVSH-në siç kërkuan ata, por do ta rimbursojë. Ai shtoi se TVSH-ja nuk mund të hiqet në kushtet aktuale, pasi lë vend për abuzime. Sipas kryebashkiakut, ky vendim do të merret vetëm kur mjetet të jenë të pajisura me GPS.

"Kam diskutuar me kryeministrin dhe do marrim vendime për kërkesat. Po përgatitemi për buxhetin për heqjen TVSH, por do të rimbursojmë TVSH jo heqje, do bëjmë rimbursim akcize, jo heqje, pasi lë vend për abuzime.

Kjo nuk mund të bëhet nëse nuk bashkëpunojmë për GPS, nëse ka operatorë që thonë nuk e vendos, si ta dimë ne sa kilometra ka bërë. Vetëm me këtë e bëjmë, nëse pranoni transparencë ne do të vazhdojmë me TVSH dhe akcizën. Dua dakordësi për këtë që të avancoj me heqjen TVSH dhe akcizës", tha Veliaj.

Ky i fundit bëri me dije se bashkia ka akorduar 1 milionë euro për operatorët e transportit publik. Veliaj tha paratë do iu shpërndahen operatorëve në bazë të raportit të GPS për rrugët që kanë bërë.

“Kam akorduar një fond prej 1 milionë euro si një fillim i iri , pasi nuk besoj se skema e subvencionit rrit cilësinë, por thjeshtë mbulon disa gjëra që duhet. Cilësinë e rrit transparenca. Meqë jemi në kushte të jashtëzakonshme po marr vendim të jashtëzakonshëm.

Shpërndarjen e kësaj do e zbatojmë nga raporti që na vjen nga GPS, në bazë të lëvizjes së autobusëve. Paratë nuk janë të miat por publikut. Më pas nëse kjo nuk mjafton do të rishikojmë buxhetin. Pra ky është një subvencion cash për operatorët dhe do të monitorohet me transparencë me GPS dhe shitjen e aboneve”, tha Veliaj.

Ky i fundit i paralajmëroi operatorët se nëse nuk do të rrisin cilësinë e transportit, do t’iu hiqet licenca. Kryebashkiaku u shpreh se do të vijojë mbështetja për studentët dhe të kategoritë e tjera sociale. Ai theksoi se do të ketë formalizim të shitjes së aboneve, duke iu thënë qartë se nuk do të ketë shitje të tyre në tregun e zi.

“S’mund të kemi skena si ato që ndodhën vjet, ku arrestohen operatorët me abone e bileta false. Kjo është marrëdhënie besimi, duhet fillimisht të keni besim te njeri-tjetri. Në momentin që ne vazhdojmë shesim nën dorë, është për turp", deklaroi Veliaj.

 

Të fundit