Flash News

E-TJERA

“Nga shtëpia te varrezat është rutina jonë”/ Babai i Ilaria Sulës rrëfen dhimbjen pas vrasjes së të bijës

“Nga shtëpia te varrezat është rutina jonë”/
Flamur Sula, babai i 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e cila u vra brutalisht nga ish-partneri i saj, ka dhënë një intervistë rrëqethëse për mediat italiane, ku ka rrëfyer dhimbjen e pashërueshme që ka përfshirë familjen pas humbjes së vajzës.

“Është një dhimbje e pashpjegueshme. Jeta jonë tashmë përqendrohet vetëm në një rrugë: nga shtëpia te varrezat. Asgjë tjetër,” tha ai me trishtim, duke theksuar se familja është e shkatërruar dhe nuk sheh më asnjë normalitet në jetën e përditshme.

Sula tregoi se nuk do të ndalet derisa të marrë drejtësi për të bijën, ndërsa i bëri thirrje qeverisë italiane të ndërmarrë masa të forta për të ndaluar fenomenin gjithnjë në rritje të dhunës ndaj grave.

Vajzat vriten për asgjë. Dhe kjo ndodh vazhdimisht. Qeveria duhet të bëjë diçka, të marrë masa të forta. Nuk e di çfarë lexojnë apo studiojnë këta djem, por diçka nuk shkon,” u shpreh ai.

Babai i Ilarias rrëfeu se nuk kishte pasur kurrë frikë për vajzën e tij, pasi e konsideronte një vajzë të fortë dhe të drejtë, por theksoi se tani flet vazhdimisht me djalin e tij 18-vjeçar për rëndësinë e respektit dhe të kuptuarit të kufijve në një marrëdhënie. “I them që nëse një vajzë thotë ‘jo’, do të thotë ‘jo’. Nëse ikën, duhet ta pranosh,” tha ai.

Ngjarja e rëndë e vrasjes së Ilarias nuk është e vetmja e këtij lloji. Vetëm pak ditë më parë, në Napoli, një tjetër vajzë, 22-vjeçarja Martina, u vra nga ish-partneri i saj. Lidhur me këtë, Sula shprehet se çdo lajm i ngjashëm e rikthen në makthin e vet personal. “Ishte sikur po e përjetoja gjithçka përsëri,” tha ai.

Në fund, ai u shpreh kategorik se falje për autorët e këtyre krimeve nuk mund të ketë. “Nuk mund të ketë falje për njerëz që marrin jetën e një vajze. Ajo që ndodhi nuk është një aksident, është një vrasje e qëllimshme. Nuk duhet të jetë e pranueshme,” përfundoi ai.

Të fundit