Flash News

E-TJERA

Nga Tirana në Torino: Si mafia shqiptare pastron para përmes bixhozit në Itali?

Nga Tirana në Torino: Si mafia shqiptare pastron para përmes bixhozit

Lojërat e fatit po kthehen në një nga sektorët më fitimprurës për organizatat kriminale në Itali, ku përveç klaneve historike italiane, një rol gjithnjë e më të dukshëm po merr edhe mafia shqiptare, siç shkruan ANSA.

Sipas një dosjeje të re të organizatës “Libera”, e cila ka analizuar të dhënat e Drejtorisë Kombëtare dhe asaj Hetimore Antimafia (DIA) nga viti 2010 deri në 2024, janë identifikuar 147 klane kriminale të përfshira në aktivitetet e lojërave të fatit – të ligjshme dhe të paligjshme – në 16 rajone italiane.

Në këtë rrjet të gjerë, “Libera” thekson se bizneset kriminale nuk janë vetëm vendase, por përfshijnë edhe grupe të huaja si mafia kineze, shqiptare dhe turke.

Hetimet tregojnë se grupet shqiptare janë aktive sidomos në Italinë Veriore dhe Qendrore, ku menaxhojnë ose bashkëmenaxhojnë lokale lojërash, sallone bastesh dhe platforma online, shpesh të përdorura për pastrimin e parave të fituara nga trafiku i drogës dhe emigracioni i paligjshëm.

Sipas burimeve të DIA-s, këto grupe “kanë treguar aftësi të lartë për t’u integruar në rrjetet italiane”, duke përdorur bizneset e vogla të ligjshme si fasadë për aktivitetet e tyre financiare.

Në disa raste, ato kanë krijuar partneritete të heshtura me familje mafioze lokale, veçanërisht në Lazio, Lombardia dhe Emilia-Romagna, për të ndarë territoret dhe përfitimet.

Në nivel kombëtar, Campania mbetet rajoni me më shumë klane të përfshira (40), e ndjekur nga Kalabria (39) dhe Siçilia (38). Por rritja e ndikimit të mafieve të huaja, përfshirë shqiptaret, është konsideruar nga Libera si “një alarm i ri që shfaqet në sektorët e ekonomisë dixhitale dhe lojërave online”.

Të ardhurat nga lojërat e fatit në Itali arritën në 157 miliardë e 453 milionë euro në vitin 2024, me një rritje prej 6.59% krahasuar me vitin 2023. Vetëm lojërat online numërojnë gati 16 milionë llogari aktive, një terren i përshtatshëm për aktivitetet kriminale të organizuara ndërkombëtare.

“Pas çdo makine lojërash apo platforme bastesh fshihen njerëz dhe interesa që përfitojnë nga vështirësitë e të tjerëve,” – deklaron Luigi Ciotti, president i Liberës.

“Grupet kriminale – përfshirë ato të huaja – po ndërtojnë një sistem që pastron paratë e pista përmes bixhozit dhe i shndërron humbjet njerëzore në fitim financiar. Është një mashtrim i heshtur ndaj shoqërisë.”

Të fundit