Flash News

E-TJERA

Nga tmerri i Beogradit te sfida e madhe, Shehi paralajmëron Serbinë: Shqipëria do japë maksimumin

Nga tmerri i Beogradit te sfida e madhe, Shehi paralajmëron Serbinë:

Trajneri i Ballkanit dhe ish-futbollisti i Kombëtares, Orges Shehi, ka folur për Politiko.al për përballjen e nesërme me Serbinë, një ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.

Shehi shprehet i bindur se situata nuk do të përsërisë tensionet e vitit 2014 në Beograd, duke theksuar se 11 vitet e fundit kanë ndryshuar kontekstin dhe që organizimi i dy ndeshjeve të fundit kundër Serbisë në Shqipëri ka qenë model për sa i përket organizimit dhe sigurisë.

Trajneri vlerëson gjendjen e Kombëtares shqiptare si të mirë, entuziaste dhe të qetë, duke nënvizuar rëndësinë e qetësisë për të mos lejuar që faktorët e jashtëm të ndikojnë në performancën e lojtarëve.

 Ai shton gjithashtu se mbështetja e tifozëve shqiptarë, edhe jashtë stadiumit, do të jetë motivim shtesë për ekipin.

Sa i përket rezultatit, Shehi shmang parashikimet konkrete, por shpreh shpresën e tij me gjithë zemër që Shqipëria të dalë fituese.

Intervista

Jeni një nga futbollistët që ka përjetuar tmerrin në Beograd në tetor të 2014. Nesër sërish përball serbëve. Sa janë shancet që ndeshja Serbi-Shqipëri të zhvillohet e qetë, pa probleme?

Unë besoj fort që ndeshja e nesërme nuk do të ketë probleme. Kanë kaluar 11 vite dhe situata është ndryshe. Ne kemi organizuar dy ndeshje kundër Serbisë këtu dhe kemi qenë model për sa i përket organizimit të një ndeshjeje futbolli, edhe pse ka një ngarkesë emocionale për shkak të historisë.

Si e vlerësoni gjendjen e Kombëtares shqiptare për këtë ndeshje?

Gjendja e Kombëtares tonë, nga sa shikoj unë nga jashtë, duket e mirë, entuziaste dhe e qetë. Qetësia është shumë e rëndësishme, sepse lojtarët nuk duhet të ndikohen nga faktorë të jashtëm, pasi kjo mund t’u dëmtojë performancën, sidomos duke pasur parasysh sa e rëndësishme është kjo ndeshje për objektivat tona për në Botëror.

Serbia po përpiqet të shmangë simbolet shqiptare brenda stadiumit. Si mund të ndikojë kjo në moralin e lojtarëve shqiptarë?  Sa e rëndësishme është mbështetja e tifozëve për një ekip si Shqipëria jashtë vendit?

Mbështetja e tifozëve është gjithashtu shumë e rëndësishme. Edhe pse lojtarët nuk do të kenë tifozët direkt në stadium, ata e dinë që sytë e gjithë shqiptarëve do të jenë mbi ta dhe kjo do t’i motivojë për të dhënë maksimumin e tyre.

Një parashikim për rezultatin

Sa i përket parashikimit, nuk mund të jap një përgjigje të saktë, por do të shpresoja me gjithë zemër që të fitojmë. / Pergatiti Neta Fero

Të fundit