Flash News

E-TJERA

Nga uji i pijshëm tek krahu i punës, Dhoma Amerikane e Tregtisë kritika autoriteteve për problemet e sezonit turistik

Nga uji i pijshëm tek krahu i punës, Dhoma Amerikane e Tregtisë

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka kritikuar autoritetet për disa shqetësime që janë bërë pengesë në sektorin e turizmit.

Në një reagim, Dhoma Amerikane e Tregtisë vë në dukje mungesën e ujit të pijshëm në zonat bregdetare, keqmenaxhimin e ujërave të zeza, djegien e mbetjeve në landfille, si edhe ndërtimet e shumta që nuk ndalen, as gjatë sezonit turistik.

Po ashtu, Dhoma Amerikane e Tregtisë shpreh shqetësim për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, duke vënë në rrezik konkurrëncën  e Shqipërisë si një destinacion turistik, përballë vendeve të tjera të rajonit.

REAGIMI:

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri e ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme dhe me interes të veçantë dinamikën e zhvillimit të turizmit shqiptar gjatë viteve të fundit. Ne gjejmë me vend të shprehim vlerësimet për impaktin pozitiv të aktivitetit turistik në ekonominë shqiptare, rritjen e investimeve private në strukturat e reja akomoduese, si dhe tendencën në rritje të fluksit të turistëve të huaj.

Ndërkohë, në mbështetje të këtij sektori, ne dëshirojmë të sjellim në vëmendje disa prej sfidave me të cilat po përballen anëtarët tanë në këtë fillim sezoni. Adresimi i tyre në kohë, do të ndihmojë për të ruajtur suksesin e deritanishëm të promovimit të Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më tërheqës në rajonin e Mesdheut.

Informacionet e përcjella nga anëtarët tanë, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete.

Gjithashtu, ne gjejmë me vend të adresojmë çështjen e shumëdiskutuar të mungesës së fuqisë punëtore dhe nevojën për një zgjidhje afatgjatë që fokusohet në zhvillimin, kualifikimin dhe motivimin e fuqisë punëtore brenda këtij sektori. Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik krahas vendeve të tjera të rajonit.

Me dëshirën e mirë për të kontribuar në zhvillimin e një sektori prioritar për vendin, ne kërkojmë vëmendjen e Qeverisë, pushtetit lokal dhe institucioneve përkatëse për t’i adresuar këto problematika, duke ndihmuar kështu jo vetëm bizneset, por edhe fuqizimin e këtij momentumi pozitiv për imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje.

Të fundit