Flash News

E-TJERA

Nis fushata elektorale, delegacioni i BE: Jo retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje, zgjedhjet të jenë transparente

Nis fushata elektorale, delegacioni i BE: Jo retorikë provokuese apo
Foto ilustruese

Një muaj para zgjedhjeve parlamentare, delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka dalë me një deklaratë, ku thekson se po ndjek zhvillimet për përgatitjen e tyre.

"Shefi i Delegacionit të BE-së dhe shefat e misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Shqipëri kanë ndjekur nga afër përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare dhe fushatës elektorale deri më tani", thuhet në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se fushata duhet të përqëndrohet te programet që ofrojnë partitë politike. Në këtë pikë, delegacioni nënvizon rëndësinë e e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

"Në këtë pikë, kujtojmë rëndësinë e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, ​​siç ilustrohet veçanërisht në konsensusin e gjerë ndërpartiak që çoi në marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik mbi reformën zgjedhore. E njëjta frymë duhet të frymëzojë një fushatë elektorale që bazohet në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe zhvillohet në një mënyrë paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje", thuhet në deklaratë.

BE bën thirrje për zgjedhje transparente dhe të lira, duke vënë theksin te rëndësia e njohjes së rezultatit. Delegacioni shpreh besimin se institucionet dhe aktorët politikë do të veprojnë në përputhje me ligjin.

"Zgjedhjet transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si dhe respektimi i rezultatit të tyre, janë të rëndësishme për të siguruar legjitimitetin e Asamblesë dhe qeverisë së re. Ne kemi besim se të gjitha institucionet përkatëse shqiptare dhe aktorët politikë do të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve", nënvizojnë ata.

Më tej, BE inkurajon qytetarët shqiptarë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.

"Komuniteti ndërkombëtar po e mbështet dhe po e monitoron në mënyrë aktive të gjithë procesin e përgatitjes dhe kryerjes së zgjedhjeve, para së gjithash përmes misionit të ODIHR-it. Po ashtu, Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së do të vizitojnë një numër të madh vendvotimesh ditën e zgjedhjeve", thuhet në deklaratë.

 

Të fundit