Flash News

E-TJERA

Një jetë e humbur nga përmbytjet/ Bashkia e Sakos lan duart nga përgjegjësia, Prokuroria nis hetimet

Një jetë e humbur nga përmbytjet/ Bashkia e Sakos lan duart nga

Prokuroria e Durrësit ka hapur zyrtarisht hetimet për situatën dramatike të krijuar nga përmbytjet masive në qytetin bregdetar, ku këtë të enjte humbi jetën edhe një punonjës i Bashkisë së Durrësit, Astrit Hysenaj, 54 vjeç.

Ndërsa bilanci i dëmeve rritet nga ora në orë, Bashkia e drejtuar nga Emiriana Sako ka reaguar duke hequr çdo përgjegjësi nga vetja për humbjen e jetës së punonjësit të saj, duke pretenduar se 54-vjeçari nuk ndodhej në shërbim në momentin kur ndodhi tragjedia.

Në një njoftim zyrtar, Bashkia e Durrësit sqaron se Astrit Hysenaj, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, është paraqitur në punë në orën 06:00 dhe është larguar rreth orës 10:30, ndërsa humbja e kontaktit me të është konstatuar disa orë më vonë nga familjarët.

“Rreth orës 16:00 familjarët kanë kontaktuar përgjegjësin e ndërmarrjes, pasi z. Hysenaj nuk ishte kthyer në banesë. Ata janë informuar se punonjësi ishte larguar nga puna në orën 10:30, ndërsa më pas është njoftuar Policia e Shtetit”, – thuhet në reagimin e Bashkisë.

Ndërkohë, burime hetimore bëjnë me dije se Prokuroria ka ngritur dyshime serioze mbi mënyrën e menaxhimit të situatës së emergjencës, pasi përmbytjet kanë prekur mbi 250 hektarë tokë, duke dëmtuar më shumë se 1000 familje, ndërsa dyshohet se shkak kryesor ka qenë mosfunksionimi i hidrovorit.

Sipas të njëjtave burime, hetimet janë regjistruar për veprat penale “shkatërrim i pronës përmes përmbytjes” dhe “shpërdorim detyre”, pasi ekziston dyshimi se persona të ngarkuar me funksione publike kanë kryer veprime ose mosveprime në kundërshtim me detyrën, duke dështuar në menaxhimin e emergjencës.

Këto neglizhenca, sipas hetimit paraprak, kanë sjellë pasoja të rënda, jo vetëm në dëme të mëdha pasurore për qytetarët dhe bizneset, por edhe në humbjen e jetës së një njeriu, duke e kthyer përmbytjen nga një emergjencë natyrore në një çështje me përgjegjësi penale.

 

Të fundit