Flash News


E-TJERA

Njohja e patentave nga Gjermania, ambasadori shqiptar tregon si bëhet konvertimi

Njohja e patentave nga Gjermania, ambasadori shqiptar tregon si bëhet

Në fillim të muajit Prill, qeveria shqiptare dhe ajo gjermane nënshkruan marrëveshjen që i hapi rrugë njohjes së patentave shqiptare në Gjermani. Marrëveshja do të hyjë në fuqi nga 1 Qershori.

Ambasadori shqiptar në Gjermani, Artur Kuko, ka shpjeguar për Deutsche Welle mënyrën se si do të bëhet njohja dhe konvertimi i patentave shqiptare në Gjermani për kategori të caktuara.

Kuko tha se të gjithë ata persona që janë rezidentë në Gjermani dhe e kanë marrë lejen e drejtimit pas vitit 2017, do ta konvertojnë automatikisht. Ndërsa ata që e kana para vitit 2017, do t’i nënshtrohen disa verifikimeve në Gjermani dhe në Shqipëri.

“Është më shumë se e sigurt që të gjitha landet, duke filluar nga 1 qershori  i këtij viti, do të fillojnë me njohjen dhe konvertimin e patentave shqiptare. E theksoj edhe një herë: vetëm për ata që plotësojnë kushtin themelor, pra, vetëm ata që janë rezidentë të ligjshëm në territorin e Republikës Federale Gjermane. Mënyra si funksionon është: Ai që ka nevojë për konvertimin e lejes së drejtimit paraqitet te organet gjermane. Ata që e kanë marrë dokumentin pas vitit 2017 e konvertojnë automatikisht. Ata që e kanë marrë para vitit 2017 do t’u nënshtrohen verifikimit, pasi të kenë kontaktuar autoritetet gjermane. Autorietet gjermane kontaktojnë autoritetet shqiptare dhe bëjnë autentifikimin e dokumenteve të paraqitura”, tha Kuko.

Sa i përket investimeve dhe ndihmës që Gjermania ka dhënë për Shqipërinë, Kuko pohoi se janë afro më shumë se 1.2 miliardë euro të dhëna nga Berlini për Tiranën në formë grantesh e kredish.

“Është evidente që veçanërisht gjatë dy-tre vjetëve të fundit që edhe pandemia ka afektuar, në aspektin sasior, zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Jam optimist që marrëdhëniet tregtare do të vijojnë të rriten. Mos të harrojmë dhe mos lodhemi kurrë së evidentuari që Gjermania ka ndihmuar Shqipërinë me një shumë prej 1,2 miliardë euro. Këto janë para të taksapaguesit gjermanë që janë dhënë nga Gjermania në formë grantesh dhe kredish për Shqipërinë, gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të fundit. Por synimi ynë është të lëvizim përtej kësaj. Ne synojmë të rrisim nivelin e marrëdhënieve tregtare, të rrisim marrëdhëniet ekonomike në sektorin privat, në Shqipëri, dhe unë kam përshtypjen që qysh brenda këtij viti do të shohim zhvillime me shumë interes për jetën ekonomike shqiptare”, tha ambasadori shqiptar.

Të fundit