Flash News

E-TJERA

OJF e financuar nga shteti: Rama shpik një "instrument" për të komanduar bashkitë

OJF e financuar nga shteti: Rama shpik një "instrument" për

Pas valës së shkarkimeve në bashkitë e vendit të orkestruara nga Rama, së fundmi, qeveria e udhëhequr prej tij ka miratuar krijimin e një “organizate jofitimprurëse” që në dukje është për trajnim, por në thelb mund të kthehet në një instrument kontrolli mbi pushtetin vendor.

Vendimi u mor sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Bazuar në VKM, ministri për çështjet vendore do të negociojë dhe nënshkruajë marrëveshje me bashkitë për të krijuar një strukturë të përbashkët, që do ndihmojë në forcimin e punës së pushtetit vendor.

“Autorizimin e ministrit përgjegjës për çështjet vendore për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, për krijimin e subjektit të kompetencave të përbashkëta, në formën e organizatës jofitimprurëse, për zhvillimin e kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës profesionale për t’u shërbyer komuniteteve dhe për t’i ndihmuar ato në përmbushjen e funksioneve të veta dhe kompetencave, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe për përmbushjen e sfidave, që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në VKM.

Pra në dukje OJF, por në thelb do të menaxhohet nga qeveria. Ndoshta një mënyrë për të kontrolluar akoma më shumë drejtuesit lokalë dhe për të kapur qeverisjen vendore.

Financimi fillestar, sipas VKM-së, për themelimin e organizatës dhe 50% e kostove operacionale për tre vitet e para do të mbulohen nga buxheti i shtetit, konkretisht nga fondet e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

“Ndihmesa financiare konsiston në mbulimin e kostos fillestare të themelimit të subjektit të kompetencave të përbashkëta dhe të jo më pak se 50% të kostove operacionale të funksionimit të saj për tri vitet e para të funksionimit për përmbushjen e objektivave.

Ndihmesa financiare, sipas pikës 2 të këtij vendimi, të parashikohet në buxhetin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Ministri përgjegjës për çështjet vendore sigurohet që, për programet e ofruara, të merret pëlqimi paraprak nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike për miratimin e programit vjetor të trajnimit, pa penguar zhvillimin e realizimin e tij, me përjashtim të rastit kur për module përkatëse vërtetohet se është kryer planifikimi për vitin akademik përkatës nga ana e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Vendimi vjen vetëm pak ditë pas urdhrit të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e nënkryetarëve dhe drejtuesve lokalë, me justifikimin e “përmirësimit të performancës”. Por në të njëjtën kohë, ngritja e një strukture të re për t’i trajnuar këto stafe ngre dyshime nëse po ndihmohet realisht vetëqeverisja, apo po forcohet kontrolli qendror mbi të.

Të fundit