Flash News

E-TJERA

Organizatat mjedisore thirrje për pezullim të projektit në Sazan dhe Zvërnec

Organizatat mjedisore thirrje për pezullim të projektit në Sazan

41 organizata mjedisore nga 28 shtete iu drejtuan kryeministrit Rama me një deklaratë publike për të pezulluar çdo nismë ndërtimi në ishullin e Sazanit. Reagimi vjen pas vizitës së Ivanka Trump dhe Jared Kushner në Vlorë të mërkurën, të cilët u pritën nga Kryeministri Rama në një darkë private me një grup arkitektësh.

“Projekti “Investim Strategjik me Procedurë të Veçantë”, i miratuar në janar 2025, parashikon ndërtimin e një resorti luksoz. Zhvillimi i propozuar do të përfshinte ndërhyrje në një sipërfaqe prej 45 hektarësh në Ishullin e Sazanit, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin e tij në mjedis dhe përputhshmërinë me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, thuhen në letrën drejtuar kryeministrit dhe Ministrisë së Mjedisit.

Sipas deklaratës ishulli i Sazanit rrethohet nga Parku Kombëtar Detar, i klasifikuar si Park Kombëtar e po ashtu si Zonë Veçanërisht e Mbrojtur me Rëndësi për Mesdheun.

“Ishulli i Sazanit njihet si pjesë e një Zone Kyçe për Biodiversitetin (KBA)3 dhe Zone të Rëndësishme për Shpendët (IBA), brenda zonës KBA/IBA4 5 të Gjirit të Vlorës, Karaburunit dhe Malit të Çikës”, thekson më tej letra, e cila nga organizatat mjedisore shqiptarë është nënshkruar nga PPNEA (Protection and Preservation of natural Environment in Albania), Eco Albania dhe REC Albania (Resource Environmental Center Albania).

Sipas letrës publike, ujërat e Sazanit ofrojnë habitate me vlerë dhe jetike për gjitarin detar më të rrezikuar globalisht, fokën e Mesdheut.

“Ndërtimi i një resorti luksoz, me ndërhyrje infrastrukturore në shkallë të gjerë si trafiku detar, rrugët dhe sistemet e kanalizimeve, përbën një kërcënim serioz për këto habitate delikate. Ndërhyrje të tilla sjellin zhurmë, ndriçim artificial, ndotje dhe rritje të pranisë së njeriut, të cilat mund të largojnë jetën e egër nga zonat kritike, përfshirë shpellat bregdetare që janë thelbësore për mbijetesën e fokës së Mesdheut”, thuhet më tej në deklaratën e organizatave.

Po ashtu, sipas deklaratës ky projekt bie edhe ndesh me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit të Bashkimit Evropian, e sidomos të hapjes së negociatave të Kapitullit 27 që përmban mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Ata kërkuan pezullim të menjëhershëm të cdo vendimi ekzekutiv apo parlamentar që lidhet me avancimin e këtij projekti, përfshirjen formale të pjesës tokësor të ishullit të Sazanit brenda Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, regjistrimin zytar të ishullit si zonë kandidate Emerald, si pjesë e rrjetit ekologjik të Zonave me Interes të Vecantë për Ruajtje nën kujdesin e Këshillit të Evropës, dhe zbatim të dtyrimeve të Shqipërsië sipas konventae ndërkombëtare për mbrotjjen e natyrës dhe biodiversitetit

Në një reagim të mërkurën PPNEA theksoi se “rreth 14 kilometra vijë të egër bregdetare që është zonë e mbrojtur, […] planifikohet të shndërrohet në rruge asfalti, drita të forta dhe pallate luksoze, të cilat nuk kanë vend për natyrën e egër dhe komunitetet”.

Ky zhvillim po ndodh teksa Komisioni Evropian i ka vënë kusht Shqipërisë për integrimin mbylljen e kapitullit të mjedisit me ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, i cili i pati hapur rrugë investimeve të tilla në parqet natyrore./ Citizens Channel

Të fundit