Flash News

E-TJERA

"Mungesë tamponësh në Fier", OSHKSH reagon pas akuzave të PD: Nuk është e vërtetë, vetëm muajin e fundit janë marrë mbi 1200

"Mungesë tamponësh në Fier", OSHKSH reagon pas akuzave

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike se në Fier në nuk ka tamponë për qytetarët. Ndërsa i ka mohuar akuzat OSHKSH thotë se vetëm gjatë muajit të fundit në Fier janë marrë mbi 1200 tamponë.

Gjithashtu shtoi se numri i testimeve është katërfishuar krahasuar me fillimin e epidemisë.

Reagimi i plotë:

Reagim për akuzat e pabaza të opozitës për situatën e tamponëve

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor siguron qytetarët që ekipet e epidemiologëve janë në krye të detyrës në çdo cep të vendit dhe prej 8 muajsh po bëjnë një punë të palodhur për gjurmimin, hetimin, dhe testimin e rasteve të dyshuara.

Numri i testimeve është rritur në mënyrë progresive dhe sot është katërfishuar krahasuar me fillimin e epidemisë.

Në përgjigjie të akuzave të pabaza të deputetëve të opozitës në Fier, sqarojmë se numri i tamponëve lidhet me hetimin epidemiologjik në terren i cili po ndiqet me përpikmëri dhe profesionalizëm të lartë nga ekipi i epidemiologëve të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Fier.

Vetëm gjatë muajit të fundit në Fier janë marrë mbi 1200 tamponë, përherë duke u bazuar në hetimin dhe gjurmimin epidemiologjik në terren.

Duke ftuar çdokënd që të mos bëjë politikë me sëmundjen dhe të mos dezinformojë opinionin publik, i sigurojmë qytetarët që njesitë vendore të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin janë në krye të detyrës 24/7 dhe po bëjnë maksimumin për shërbimin ndaj pacientëve.

Ftojmë qytetarët që të lidhen menjëherë me mjekun e familjes kur kanë dyshime për prekjen nga virusi Sars Cov2 dhe të mos neglizhojnë ndjekjen e rregullt me mjekun e tyre.

Më herët, ish-deputeti demokrat Luan Baçi ka denoncuar mungesën e tamponëve në Fier. Sipas tij, qytetarët nuk kanë mundësi t'i nënshtrohen testimit edhe kur janë konstatuar se janë të prekur nga COVID-19. Një tjetër shqetësim i ngritur nga Baçi janë vonesat e përgjigjeve, sa i përket rezultatit të testit.

 

 

Të fundit