Flash News

E-TJERA

Paketa fiskale 2022/ Dhoma Amerikane e Tregtisë kritika qeverisë, shkeljet që konstaton: Projektligjet kanë nevojë për përmirësim

Paketa fiskale 2022/ Dhoma Amerikane e Tregtisë kritika qeverisë,

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka reaguar për paketën fiskale të vitit 2022, duke ngritur disa shqetësime për projektligjet. DHAT thekson se një pjesë e madhe e bizneseve kanë reaguar me shqetësim dhe se koha e vënë në dispozicion të Dhomës Amerikane nuk ka qënë e mjaftueshme për një analizë të plotë.

Dhoma Amerikane evidenton si shqetësim për bizneset ndryshimet e shpeshta mbi paketën fiskale dhe tatimet. Kreu i DHAT Enio Jaço thotë se qeveria ka marrë angazhimin për të mos bërë ndryshime të shpeshta, por ka ndodhur e kundërta.

"Për rrjedhojë, ky projektligj bie ndesh me angazhimet publike qeveritare, pritshmëritë dhe planifikimet financiare të komunitetit të biznesit dhe dëmton klimën e besimit reciprok mes sektorit publik dhe atij privat mbi angazhimet publike", thuhet në reagimin e Dhomës Amerikane.

Një tjetër kritikë e DHAT është shkelja e përsëritur e afateve të ligjit mbi konsultimin publik. Jaço bën me dije se Dhoma Amerikane u njoftua mbi projektligjet e paraqitur nga Këshilli i Ministrave, pasi ato ishin miratuar dhe ishin depozituar pranë Kuvendit.

"Kjo praktikë – fatkeqësisht e përsëritur – është në shkelje të ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, i cili i kërkon autoriteteve shtetërore t’i ofrojnë palëve të interesuara një periudhë kohore të përcaktuar për të shqyrtuar dhe ofruar rekomandimet e tyre në lidhje me projektligjin/et e propozuar", thuhet më tej në njoftim.

Në këto kushte, Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e afatit të projektligjeve, për t'i lënë mundësi grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre duke u njohur me përmbajtjen e ligjit.

Gjithashtu shpreh bindjen se projektligjet kanë nevojë për përmirësim, i cili do të mundësohej pas reflektimit të rekomandimeve të komunitetit të biznesit. Dhoma Amerikane rekomandon nisjen nga puna për hartimin dhe konsultimin e një Ligji të Ri për Tatimin mbi të Ardhurat, që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit.

Sipas DHAT, periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e pagamarrësve dhe personave fizikë e tregtarë, çka do sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte dhe uljen e informalitetit.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit