Flash News

E-TJERA

Pamje të reja të rrëmbimit të Enver Stafukës, momenti kur takohet me Durim Bamin dhe nipin e deputetit të PS

Pamje të reja të rrëmbimit të Enver Stafukës, momenti

Publikohen pamje të reja të rrëmbimit dhe zhdukjes së Enver Stafukës.

News 24 sjell në emisionin “Në shënjestër” dinamikën e ngjarjes së 9 shkurtit 2015 si edhe lëvizjen e personave me të cilët Enver Stafuka konsumoi kafen e fundit, por edhe të rrëmbyesve të veshur si policë.

Në pamje shihet kur zbret nga makina Enver Stafuka, pas tij, vjen Gentjan Bejtja, si dhe Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja.

I fundit që i bashkohet grupit është Durim Bami, ndërsa më pas të katër personat, futen në lokal.

21 minuta më pas, i pari që del nga lokali është Ramazan Rraja, emri i të cilit përmendet për herë të parë në këtë histori. Ky i fundit, nxiton, merr makinën dhe largohet. Vetëm një minutë pas tij, nga lokali po me nxitim, del Enver Stafuka. Janë momentet e fundit përpara rrëmbimit.

Ai duket teksa nxiton dhe drejtohet për te makina e tij. Është ky çasti, ku persona të veshur si policë, të cilët mesa duket po e prisnin, kanë dalë nga automjeti i tyre dhe i kanë thirrur në emër. Fillimisht ata e kanë shtyrë dhe më pas e kanë lidhur. Ndërsa një makinë afrohet dhe katër personat e fusin Enver Stafukën në brendësi të automjetit.

Vetëm 2 minuta pasi ka ndodhur rrëmbimi, dalin qetësisht nga lokali, Durim Bami dhe Gentjan Bejtja. Sot, gati shtatë vite më vonë, ende nuk dihet asgjë për fatin e babait të 4 fëmijëve. Policia e cila ka rihapur dosjen është duke hetuar grupin e Emiljano Shullazit, si të përfshirë në krimin e rëndë.

 

Të fundit