Flash News

E-TJERA

Panik gjatë fluturimit në SHBA, 23-vjeçari shqiptar tenton të hapë derën e avionit

Panik gjatë fluturimit në SHBA, 23-vjeçari shqiptar tenton

Një incident ndodhi gjatë një fluturimi në SHBA të enjten në mbrëmje, pasi një pasagjer shqiptar u përpoq të hapte daljen e emergjencës gjatë fluturimit dhe u përplas fizikisht me një anëtar të ekuipazhit.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 në Fluturimin 3612 të kompanisë SkyWest Airlines, nga Omaha drejt Detroit-it.

Kapiteni i aeroplanit sinjalizoi menjëherë emergjencën pranë kullës së kontrollit në Aeroportin Lindor të Ajovës në Cedar Rapids, duke raportuar: "Pasagjeri aktualisht po lufton me asistenten tonë të fluturimit dhe po përpiqet të hapë daljen e emergjencës."

Fatmirësisht, tentativa e pasagjerit për të hapur derën e emergjencës dështoi dhe aeroplani me 67 pasagjerë në bord arriti të ulej në mënyrë të sigurt.

I dyshuari u identifikua si Mario Nikprelaj, 23 vjeç, me profesion kuzhinier dhe shtetas shqiptar. Ai u arrestua menjëherë pas uljes nga autoritetet e aeroportit.

Në një deklaratë zyrtare, kompania ajrore SkyWest Airlines theksoi se: “SkyWest ka tolerancë zero ndaj sjelljeve të papërshtatshme. Siguria e klientëve dhe ekuipazhit tonë është përparësia kryesore.”

Sipas të dhënave të FAA-së, vetëm gjatë këtij viti në SHBA janë regjistruar mbi 870 incidente me pasagjerë të padisiplinuar, një rritje që po shqetëson seriozisht autoritetet e aviacionit civil.

Hetimet për motivet dhe rrethanat e këtij incidenti vijojnë nga autoritetet përkatëse.

 

Të fundit