Flash News

E-TJERA

“Paqja fiskale” drejt zbatimit në maj, ndërkombëtarët paralajmërojnë rreziqe për sistemin tatimor

“Paqja fiskale” drejt zbatimit në maj,

Nisma e qeverisë për “Paqen fiskale” pritet të hyjë në fazën e zbatimit gjatë muajit maj, pas përfundimit të akteve nënligjore që lidhen me fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se procesi është në fazë përfundimtare dhe se afatet mund të përshtaten sipas ecurisë së miratimeve administrative.

“Sa i përket akteve nënligjore për fshirjen e detyrimeve doganore dhe tatimore dhe paqes fiskale, siç deklarova edhe dje, do të hyjnë në fuqi brenda këtij muaji. Dhe nëse do të ketë apo jo zgjatje të afateve, do të vlerësohet, sepse mund të ndodhë brenda muajit maj, në gjysmën e parë apo të dytë. Në varësi se si do të ecim me miratimin e këtyre udhëzimeve dhe akteve nënligjore, do të vendosim nëse do të ketë shtyrje apo jo. Nëse do të ketë shtyrje, do të bëjmë ndërhyrje ligjore, sepse afatet janë të përcaktuara me ligj”, tha Malaj.

Ndërkohë, më herët institucionet ndërkombëtare dhe partnerët ekonomikë kanë shprehur rezerva për nismën, duke paralajmëruar pasoja të mundshme në sistemin fiskal dhe klimën e biznesit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka theksuar se masa të tilla mund të dobësojnë disiplinën fiskale dhe administrimin tatimor, si dhe vendosin në dyshim sistemin kundër pastrimit të parave.

“Masa të tilla rrezikojnë të dëmtojnë kulturën e pajtueshmërisë tatimore dhe të cenojnë përparimin e Shqipërisë drejt një sistemi tatimor modern dhe të drejtë. Ato ngrenë gjithashtu shqetësime për efektivitetin e sistemit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), përfshirë identifikimin e të ardhurave me burim të paligjshëm”, është shprehur FMN.

Bashkimi Evropian nuk e ka mbështetur drejtpërdrejt nismën, duke theksuar rëndësinë e qeverisjes fiskale të qëndrueshme dhe të përafruar me standardet evropiane, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë.

“Komisioni është në dijeni për propozimin ‘Paqja Fiskale’, të bërë në kontekstin e fushatës elektorale. Ne nuk jemi konsultuar nga autoritetet shqiptare për këtë propozim”, deklaroi asokohe Komisioni Evropian.

Ndërsa Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka paralajmëruar se masa mund të cenojë konkurrencën e ndershme në treg dhe të krijojë rrezik për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë.

Të fundit