Flash News

E-TJERA

Paralajmërohet përshkallëzim i protestës, aktivistët: Masat e qeverisë janë të pamjaftueshme

Paralajmërohet përshkallëzim i protestës, aktivistët:

Grupi iniciator ka paralajmëruar përshkallëzim të protestës kundër rritjes së çmimeve. Në një deklaratë për mediat nga sheshi “Skënderbej”, ata thanë se masat e marra deri më tani nga qeveria janë të pamjaftueshme.

Gjithashtu theksuan se reagimi i qeverisë erdhi pasi qytetarët ngritën zërin për abuzimin që po ndodhte me çmimet.

“Në sajë të protestave dhe zërit të qytetarëve, qeveria nisi të bëjë detyrën e saj për kontroll të ngritjeve abuzive të çmimeve dhe marrjes se masave!! Brenda një jave janë shpallur 3 paketa anti-krizë dhe është vënë në lëvizje një fushatë e pandalshme për të bindur qytetarët mbi vlefshmërinë e masave. Për t'i bindur qytetarët që të mos dalin në shesh! Por, a i përgjigjen masat nevojave të qytetarëve në kohë krize?!

Jo, ato janë të pamjaftueshme! Shumica e tyre nuk ofrojnë garanci që çmimi i naftës dhe produkteve të tjera do të qëndrojë i ulur në mënyrë të qëndrueshme dhe që qytetarët nuk do të jenë më pre e vjedhjes dhe abuzimeve", tha një prej aktivistëve.

Kërkesat drejtuar qeverisë janë:

-Heqje i taksës së qarkullimit

-Pezullim i TVSH-së për produktet bazë të shportës

- Zgjerim i skemës se kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve

- Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri në tejkalimin e krizës

- Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve

Kujtojmë që këto ditë protestat janë pezulluar për t’i lënë kohë qeverisë që të plotësojë kërkesat e tyre, ndërsa nesër në orën 11.00 është paralajmëruar një protestë masive.

Të fundit