Flash News

E-TJERA

Pas vizitës në Tiranë, PE del me konkluzionet e para: Integrimi varet nga reformat dhe dialogu politik

Pas vizitës në Tiranë, PE del me konkluzionet e para: Integrimi
Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, gjatë vizitës së tij në Tiranë në muajin shkurt, theksoi rëndësinë e dialogut politik dhe vijimit të reformave në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Ai vlerësoi progresin e arritur nga vendi, por njëkohësisht kërkoi shmangien e protestave të dhunshme dhe nënvizoi se lufta kundër korrupsionit mbetet një test kritik për ecurinë e mëtejshme të integrimit.

Pas vizitës, Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian publikoi një deklaratë të shkurtër, ku u theksua se procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritë dhe varet nga zbatimi i reformave të qëndrueshme, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimit të lirisë së medias.

Në deklaratë, anëtarët e Komisionit i kushtuan vëmendje edhe Raportit të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve, i cili konsiderohet si një hap i rëndësishëm në negociatat e anëtarësimit, pasi mund t’i hapë rrugë Shqipërisë për mbylljen e kapitujve negociues. Ata theksuan nevojën për të vijuar me reformat në “themelet” e shtetit, duke veçuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe miratimin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Po ashtu, eurodeputetët nënvizuan rëndësinë e stabilitetit politik dhe dialogut konstruktiv mes palëve, ndërsa shprehën shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik në vend. Në fokus ishte edhe çështja e hetimeve të korrupsionit në nivele të larta dhe rreziku i ndërhyrjeve politike në proceset gjyqësore.

Disa nga konkluzionet: 

1. ...ndërsa theksohet se zgjerimi mbetet i bazuar në meritë dhe varet nga reformat e qëndrueshme, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, pavarësisë gjyqësore, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe lirisë së medias.
2. Në Shqipëri, vëmendje e veçantë iu kushtua Raportit të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve si momenti i radhës në negociatat e pranimit, i cili do t'i lejonte vendit të fillonte mbylljen e kapitujve negociues.

Anëtarët nënvizuan nevojën për të vazhduar punën mbi "themelet", veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e sundimit të ligjit dhe miratimin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse. Ata inkurajuan stabilitetin politik, dialogun dhe angazhimin konstruktiv nga të gjitha palët.

3. ...vëmendja iu kushtua polarizimit të vazhdueshëm politik, si dhe hetimeve të korrupsionit në nivel të lartë dhe rrezikut të ndërhyrjes politike në procedurat gjyqësore.

Pjesa e plotë e diskutimeve pritet të zhvillohet në seancat e ardhshme të Komisionit, ku do të trajtohen më gjerësisht zhvillimet në Shqipëri dhe hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit europian.

Të fundit