Flash News

E-TJERA

"Pasaportat e arta"/ Rrezikohet lëvizja e lirë, BE paralajmëron Shqipërinë

"Pasaportat e arta"/ Rrezikohet lëvizja e lirë, BE

Komisioni Evropian propozoi ditën e djeshme pezullimin e një marrëveshjeje të udhëtimit pa viza me arkipelagun e Paqësorit të Vanuatu për shkak të skemës së tij, që ofron pasaporta për të huajt e pasur.

Nëse propozimi mbështetet nga shtetet e BE-së, do të ishte hera e parë që BE-ja vendos sanksione ndaj një vendi për drejtimin e skemave të "pasaportës së artë", për të cilat Komisioni ka paralajmëruar vazhdimisht se mund të paraqesin rreziqe për sigurinë dhe pastrimin e parave.

Vende të tjera, duke përfshirë shtetet e Evropës Lindore janë monitoruar. Ndër to edhe Shqipëria. Kështu raporton Reuters, ndërsa shton se "Komisioni tha se po monitoronte vendet me akses pa viza në BE, të cilat funksionojnë efektivisht ose po planifikojnë të krijojnë skema të shtetësisë së investitorëve, duke përfshirë ishujt e Karaibeve dhe Paqësorit dhe shtetet e Evropës Lindore, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Moldavinë."

Sipas skemës, të huajt mund të marrin nënshtetësinë dhe pasaportën e Vanuatu-s në këmbim të një investimi minimal prej 130,000 dollarësh. Kjo nga ana tjetër u jep atyre akses pa viza në BE, sipas një marrëveshjeje për heqjen e vizave që vendi ka me bllokun 27-vendesh.

Komisioni ka propozuar pezullimin e udhëtimit pa viza për të gjithë mbajtësit e pasaportave të Vanuatu-s të lëshuara që nga maji 2015 kur programi i investitorëve filloi të funksionojë seriozisht në vend. Moratoriumi do të hiqet nëse programi amendohet siç duhet.

Ekzekutivi i BE-së tha se skema konsiderohej e rrezikshme sepse në thelb pranonte të gjithë aplikantët dhe nuk i kontrollonte mjaftueshëm ata, pavarësisht se disa shfaqeshin në bazat e të dhënave të sigurisë së Interpolit.

Ambasada e Vanuatu në Bruksel nuk ka dhënë asnjë koment për situatën. Shumica e shteteve të BE-së kanë skemat e tyre që ofrojnë pasaporta ose viza për të huajt e pasur, por Komisioni i konsideron shumicën e tyre në përputhje me rregullat e BE-së, me përjashtim të programeve të krijuara nga Qiproja dhe Malta.

Të dy shtetet po përballen me sfida ligjore nga Brukseli, të cilat u kërkojnë atyre të ndryshojnë programet ose të ndalojnë ekzekutimin e tyre për të shmangur rrezikun e gjobës.


 

 

Të fundit