Flash News

E-TJERA

Pasi i sulmoi, Rama u 'rrit' pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve. 'Përkëdhel' edhe presidentin

Pasi i sulmoi, Rama u 'rrit' pagat gjyqtarëve dhe

Qeveria ka miratuar indeksimin e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në masën 2.5%, duke e çuar pagën referuese bazë në 156 825 lekë në muaj. Vendimi u mor këtë të mërkurë dhe parashikon që efektet financiare të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse.

Sipas VKM-së, paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë përllogaritet nga shumëzimi i koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës dhe, pas aplikimit të indeksimit, arrin në 156 825 lekë në muaj.

Vendimi

Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh për indeksimin me 2.5% të pagave dhe elementeve përbërëse të tyre në disa kategori të administratës publike për vitin 2026.

(Vendimet përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës dhe të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, si edhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.)

Krahas indeksimit, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve.

Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 dhe vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte financiare nga 1 janari 2026.

Vendimi vjen vetëm disa ditë pas deklaratave të forta të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarëve, të bëra më 4 shkurt, pas reagimit të Shoqatës së Gjyqtarëve për kërkesën e rritjes së pagave.

Në një lidhje live në rrjetet sociale, Rama e cilësoi kërkesën si të papranueshme dhe pa precedent në Europë, duke akuzuar gjyqtarët se po tentojnë të rrisin pagat përmes vendimeve gjyqësore dhe se kjo do t’i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

Kryeministri deklaroi se pagat në sistemin e drejtësisë janë tashmë më të larta se në vendet e rajonit dhe të barasvlershme me disa vende të Bashkimit Europian, duke theksuar se nuk ka ligj apo dispozitë kushtetuese që u jep gjyqtarëve të drejtën të vendosin vetë rritjen e pagave.

 “Unë e kam provuar linçimin, është diçka krejt tjetër nuk ka lidhje fare me një qëndrim publik ku nuk është as përmendur njeri me emër dhe as është fyer njeri, por është ngritur një problem i madh serioz. Ju kërkoni 37 mln euro plus nga buxheti i shtetit për t’i rritur vetes tuaj pagat. Shqiptarët duhet të dinë se ju kërkoni që për gjyqtarin e shkallës së parë paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro, për të apelit nga 3480 euro që është sot, në 5500 euro.

Ju kërkoni që paga në gjykatën e lartë të shkojë 5800 euro dhe të Prokurorëve të SPAK, të cilët i veçoj se nuk i është bashkuar kësaj përpjekje absurde dhe respekte, për ta çuar pagën e vet 9800 euro. 3 mijë euro doni ti rrisni vetes në muaj me një vendim gjykate. Çfarë kërkoni. Ajo që e bën edhe më serioze këtë situatë, është se pagat tuaja, janë pagat më të larta goxha më të larta se në rajon, se në RMV, Mal të Zi dhe janë të barabarta me një vend të BE si Greqia. Sot ju i keni pagat sa në Greqi, dhe doni ti rrisni me nga 3 mijë euro në muaj, në emër të cfarë në emër të ligjit e kushtetutës? E pavërtetë, nuk ka ligj e kushetutë që iu jep juve këtë të drejtë”, tha Rama.

Të fundit