Flash News

E-TJERA

Pasvon/ Onkologjiku i Shqipërisë, pavioni ku shuhet shpresa, gazetari Stafa rrëfen ferrin: Pacientët po i vret shteti, jo sëmundja

Pasvon/ Onkologjiku i Shqipërisë, pavioni ku shuhet shpresa, gazetari

Gazetari Osman Stafa ka dhënë një rrëfim tronditës në emisionin “Pasvon” nga Alfred Lela, duke hedhur dritë mbi realitetin dramatik në Spitalin Onkologjik të Tiranës.

Ai e përshkruan institucionin si një vend ku “sëmundja nuk është më e vetmja kërcënim për pacientët” dhe ku, sipas tij, abuzimet, mungesat dhe korrupsioni po i vrasin njerëzit më shpejt.

 “Spitali Onkologjik ka vetëm 19 vende ku jepet kimioterapi, ndërsa Kosova ka 100. Pacientët presin që në mëngjes dhe shpesh mbarojnë në 6 të darkës. Ka mjekë që marrin lekë për të dhënë shërbimin  jo të gjithë, por ka,”  thotë Stafa, me një ton të ngarkuar nga indinjata.

Gazetari tregon se ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve më të larta të shtetit, por gjithçka është përplasur në heshtje.

 “Kam çuar kërkesë te presidenti Begaj, ia kam nisur edhe grave deputete të Partisë Socialiste. Asnjë reagim, as nga ai, as nga ato. Aty nuk ka të majtë e të djathtë  thjesht heshtje totale,”  rrëfen ai.

Në dëshminë e tij, Stafa kujton edhe histori të dhimbshme nga vetë pacientët:

Një pacient ka shkuar 39 herë për të marrë kimioterapi dhe 39 herë e kanë kthyer mbrapsht. Ndërkohë ne i çojmë lekët te ‘Tigrat’ në Vlorë, për palma, për pisha e satelitë, për të larë makina, sepse ministrja do ta pastrojë çdo muaj.”

Ai e cilëson të pafalshme hipokrizinë e atyre që predikojnë “shëndetësi falas”, ndërsa kurohen jashtë vendit me para publike.

Osman Stafa ka dorëzuar disa padi në SPAK, ku ka depozituar komunikime mes mjekëve të Onkologjikut dhe dokumente që ende nuk janë bërë publike. Por edhe këtu, sipas tij, nuk ka lëvizje.

 “Mund të kenë marrë barna të skaduara. Dhe nëse SPAK i fut në sirtar dhe i lë të pluhurosen, i jep sinjal atyre që abuzojnë se mund të vazhdojnë pa frikë,”.

Një dëshmi që të ngrin gjakun, një realitet që, në vend të shpresës për jetë, ofron pritje, dhimbje dhe vdekje të heshtur në pavionin e kancerozëve.

PËR MË SHUMË NDIQNI VIDEON

 

Të fundit