Flash News


E-TJERA

PE apel Këshillit Evropian: Hapni negociatat me Maqedoninë e Veriut në dhjetor dhe të ecet përpara me Shqipërinë

PE apel Këshillit Evropian: Hapni negociatat me Maqedoninë e Veriut
Foto Ilustruese/ Parlamenti Evropian

Eurodeputetët i janë drejtuar me një thirrje publike Këshillit Evropian për të miratuar kornizat negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Thirrja e nënshkruan nga më shumë se 20 eurodeputet vjen pak orë pas takimit të sotshëm të ministrave të çështjeve evropiane.

Në deklaratën për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përfaqësuesit e grupeve politike nxisin të gjitha palët e përfshira për të gjetur një zgjidhje për të siguruar që negociatat e pranimit të fillojnë para fundit të vitit.

Duke paralajmëruar se bllokimi aktual në bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë po rrezikon besueshmërinë e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, ata i bëjnë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të gjejnë një kompromis mbi çështjet dypalëshe në pritje për të shmangur shtyrjen e procesit të pranimit më tej.

“Bullgaria duhet të miratojë hapjen e konferencës ndërqeveritare (IGC) me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur dhe në çdo rast në dhjetor, duke pranuar kështu përpjekjet e vendit në procesin e pranimit në BE. Maqedonia e Veriut, në rolin e saj si një vend i ardhshëm i pranimit, duhet gjithashtu të bëjë çdo përpjekje të mundshme nga ana e saj për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, theksojnë eurodeputetët në deklaratën e tyre”, shkruhet në thirrjen e eurodeputetëve.

Ndërkaq, referuar Shqipërisë, eurodeputetët kërkojnë që vendi të ecë përpara duke përmbushur kushtet e vendosura dhe zgjidhur shqetësimet e disa shteteve anëtare. Po ashtu, iu bëhet thirrje shteteve anëtare të adresojnë shqetësimet e tyre me Shqipërinë.

“Shqipëria gjithashtu meriton të shkojë përpara në rrugën e saj drejt pranimit në BE, thonë deputetët e Evropës, duke treguar përpjekjet e saj gjithëpërfshirëse për të reformuar, veçanërisht në sektorin e drejtësisë, gjatë viteve të fundit, si dhe vlerësimin pozitiv të Komisionit. Ata shtojnë se Shqipëria gjithashtu kërkon përpjekje në disa fusha, në rrugën e saj për të përmbushur të gjitha kushtet e paraqitura në Konkluzionet e Këshillit.

( 25 mars 2020) Përpjekje gjithashtu duhet të bëhen nga disa shtete anëtare, që tregojnë aktualisht dyshime për t’i dhënë Shqipërisë dritën jeshile lidhur me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, duke punuar me Shqipërinë në adresimin e shqetësimeve të tyre. Përpjekjet kryesore transformuese dhe reformuese do të duhet të ndodhin gjatë negociatave aktuale të anetaresimit”, thuhet në deklaratë.

Të fundit