Flash News

E-TJERA

Pensionistët italianë në Shqipëri letër të hapur Ramës, shqetësohen për taksën e re 15%

Pensionistët italianë në Shqipëri  letër të hapur

Një grup pensionistësh italianë që jetojnë në Shqipëri i kanë dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke shprehur shqetësimin e tyre për një taksë të mundshme prej 15% mbi pensionet, që deri më tani nuk janë taksuar.

Lajmi është raportuar fillimisht nga portali AlbanItaly, i drejtuar nga ish-gazetari i RAI, Giuseppe Mazzei, dhe më pas është përpunuar nga La Repubblica.

Shqetësimi ka lindur pas ndryshimeve të ligjit fiskal në janar 2024, ku përjashtimet për shtetasit e BE-së me leje qëndrimi në Shqipëri janë reduktuar. Ligji i vitit 2019 përjashtonte nga taksat të gjithë pensionistët e BE-së, përfshirë italianët, ndërsa ligji i ri kufizon përjashtimet vetëm për të ardhurat e mbrojtura nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Pensionistët italianë, të cilët marrin mesatarisht 3,500 euro në muaj, shprehin shqetësim për barrën fiskale dhe procedurat e komplikuara, përfshirë deklarimin e të ardhurave në formularin “Diva”. Disa prej tyre kanë nisur të kontaktojnë CAF-et dhe Drejtorinë e Tatimeve për sqarime, por informacionet që marrin janë shpesh të pasakta dhe kontradiktore.

Ekspertët dhe sondazhet tregojnë se një taksë prej 15% mund t’i shtyjë pensionistët italianë të zhvendosen në vende më miqësore fiskalisht, si Sllovakia, Hungaria dhe Kroacia. Një largim i tillë do të kishte ndikim të madh ekonomik për Shqipërinë, pasi pensionet italiane që hyjnë në vend kapin mbi 136 milionë euro në vit, të shpenzuara kryesisht për konsum lokal, qira, supermarketet, restorante dhe mallra të ndryshme.

Pensionistët italianë kërkojnë nga autoritetet shqiptare qartësi dhe siguri ligjore, për të shmangur pasigurinë dhe vendime të nxituara që mund të ndikojnë jo vetëm mbi jetën e tyre, por edhe mbi ekonominë lokale.

Të fundit