Flash News

E-TJERA

Përfshihet nga flakët godina e Sarajeve të Toptanëve në Tiranë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Përfshihet nga flakët godina e Sarajeve të Toptanëve në

Është përfshirë nga zjarri godina e Sarajeve të Toptanëve që ndodhet në qendër të Tiranës.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë vonë dhe sipas të dhënave të deritanishme nga policia, nga flakët janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Zjarri mësohet se është lokalizuar në një lokal të ndërtesës historike, ndërsa shkaqet janë ende të paqarta.

Lidhur me këtë ngjarje, policia bën të ditur se nga zjarri ka vetëm dëme materiale, ndërsa po punohet për përcaktimin e shkakut.

“Më datë 16.08.2021, rreth orës 23:40, në rrugën “Abdi Toptani”, ka rënë zjarr në një lokal, ku ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit,” thuhet në njoftimin e policisë.

Dyshimet e para lidhen me faktin se kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa ambienti nuk survejohet me kamera.  

Kujtojmë se godina gjendet në një nga zonat më të lakmuara për ndërtim dhe Bashkia kishte hedhur idenë të bënte aty muzeun e qytetit të Tiranës.

Sarajet janë ndërtuar rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë.

Ato përbëhen nga 32 ambiente në stilin oriental, të zbukuruara me dekoracione të ndryshme. Sarajet përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse.

Banesa dy katëshe, e ndërtuar nga mjeshtrit dibranë, është vendosur mbi një parcelë të rrafshët me orientim nga jug-lindja, duke i drejtuar diellit pamjen kryesore. Ajo paraqet interes nga ana ndërtimore, si për kompozimin funksional, trajtimin arkitektonik-dekorativ, ashtu dhe të lidhjes së saj në një ansambël të vetëm me ndërtimet përreth. Sarajet e Selim Pashë Toptanit njihen me emrin e dhëndrit të tij Servet Bej Libohovës dhe janë Monument Kulture nën mbrojtjen e shtetit.

 

 

Të fundit