Flash News

E-TJERA

Përjashtuan nxënësin me aftësi ndryshe, shkarkohet drejtoresha e shkollës dhe drejtori i Zyrës Arsimore

Përjashtuan nxënësin me aftësi ndryshe, shkarkohet

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka pezulluar nga detyra drejtorin e Zyrës Arsimore Divjakë dhe drejtoreshën e shkollës "Mihal Nako" në Fierseman, pasi një nxënës me aftësi ndryshe nuk u lejua të frekuentonte shkollën.

Vendimi erdhi pasi rasti i nxënësit Emiliano Liçi u denoncua në media. Ministria e Arsimit njofton se është ngritur një grup pune për verifikimin e plotë të rastit dhe marrjen e masave përfundimtare për personat përgjegjës.

Ndërkohë, njofton se nxënësi do të kthehet menjëherë në bankat e shkollës dhe do të trajtohet sipas nevojave që ka.

Njoftimi i ministrisë:

Pas denoncimit nga emisioni “Stop” në TV Klan të rastit të nxënësit Emiliano Liçi, i cili nuk është lejuar të vazhdojë frekuentimin në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Mihal Nako” në Fierseman, Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, pas verifikimeve paraprake, ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të drejtoreshës së shkollës dhe drejtorit të Zyrës Vendore Arsimore Divjakë.

Ndërkohë, nxënësi Emiliano Liçi do të kthehet menjëherë në bankat e shkollës, që nga dita e hënë 28 Mars 2022, pas kryerjes së të gjitha procedurave përkatëse nga ana e shkollës, në bashkëpunim edhe me mësuesin ndihmës, punonjësin e shërbimit psiko-social dhe familjen, me qëllim që Emiliano të ketë të gjithë mbështetjen dhe kujdesin e duhur.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar kanë ngritur menjëherë një grup pune të përbashkët për verifikimin e plotë të rastit dhe marrjen e masave përfundimtare për personat përgjegjës.

Nga ana tjetër, që nga muaji janar Ministria ka ngritur një grup pune, i cili po punon intensivisht për ndryshimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar për kthimin e shkollave të arsimit special në qendra burimore, duke ofruar shërbim më profesional dhe të plotë për nxënësit me aftësi ndryshe, duke u përshtatur edhe me eksperiencat më të mira të vendeve evropiane. Parashikohet që këto ndryshime, pasi të konsultohen me të gjitha grupet e interesit, të finalizohen me miratimin në Parlament brenda vitit 2022.

 

Të fundit