Flash News

E-TJERA

Përndoqi një 26-vjeçare boshnjake, arrestohet 37-vjeçari shqiptar në Kroaci, akuzohet për tentativë vrasjeje

Përndoqi një 26-vjeçare boshnjake, arrestohet 37-vjeçari

Një 37-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet kroate, nën akuzën për përndjekje të vazhdueshme dhe tentativë vrasjeje ndaj një 26-vjeçareje nga Bosnja dhe Hercegovina, e cila qëndron përkohësisht në Kroaci.

Sipas policisë kroate, ngjarjet e rënda kanë nisur që prej korrikut të vitit të kaluar dhe kanë zgjatur deri në mesin e majit të këtij viti. Gjatë kësaj kohe, i dyshuari ka ndjekur vazhdimisht të renë, ka shkuar disa herë në vendin e saj të punës dhe ka ushtruar presion për të krijuar një lidhje dashurie, pavarësisht refuzimeve të vazhdueshme nga ana e saj.

Incidenti ka kulmuar më 13 maj në qytetin e Dubrovnikut, ku shqiptari ka sulmuar fizikisht një të afërm të vajzës. Ai e ka goditur të riun me grushte në kokë dhe më pas, duke e kërcënuar me vdekje, ka tentuar ta godasë me një mjet të mprehtë në zonën e qafës. Për fat të mirë, sulmi është ndërprerë nga një punonjës i një lokali aty pranë, i cili ka ndërhyrë për të parandaluar tragjedinë.

Nga incidenti kanë mbetur të lënduar lehtë si viktima e sulmit, ashtu edhe qytetari që ndërhyri për ta ndihmuar.

Pas ndërhyrjes së shpejtë të policisë, autori është arrestuar dhe, pas përfundimit të hetimeve penale dhe paraqitjes së kallëzimit penal, është dërguar në paraburgim në Policinë e Qarkut Dubrovnik-Neretva.

Autoritetet kroate kanë bërë të ditur se ndaj të dyshuarit rëndojnë disa akuza serioze, përfshirë përndjekje, dhunë fizike dhe tentativë për vrasje me dashje.

Të fundit