Flash News

E-TJERA

Përplasje te Urdhri i Psikologut/ Laboviti shkon të marrë detyrën, Treska nuk i liron zyrën

Përplasje te Urdhri i Psikologut/ Laboviti shkon të marrë

Tension dhe përplasje verbale janë regjistruar këtë të hënë në ambientet e Urdhrit të Psikologut, ku presidentja e sapozgjedhur Brunilda Laboviti është përballur me refuzimin e Valbona Treskës për të liruar zyrën.

Pas zgjedhjeve të zhvilluara pak ditë më parë, ku Laboviti u shpall fituese me 238 vota nga gjithsej 451, ajo shkoi sot për të marrë zyrtarisht detyrën, por hasi në kundërshtimin e Treskës. Kjo e fundit ka deklaruar se nuk largohet nga posti pa u shqyrtuar ankimi për procesin zgjedhor.

Përballë situatës, Laboviti ka kontaktuar përfaqësuesin e saj ligjor dhe më pas Policinë e Shtetit, duke kërkuar ndërhyrjen për lirimin e zyrës. Dy efektivë policie mbërritën në ambientet e institucionit, ku Laboviti u shpjegoi se kishte fituar zgjedhjet dhe po pengohej të ushtronte detyrën.

Laboviti përpara policisë: “Jam shpallur fituese dhe kam ardhur të marr detyrën sot, por zonja Treska nuk e liron zyrën. Më duhet ndihma juaj.”
Situata vjen pas një viti të trazuar në institucionin e Urdhrit të Psikologut, i shoqëruar me përplasje, akuza për përjashtime të paligjshme nga gara dhe tensione gjatë procesit zgjedhor. Dy kandidatet zyrtare ishin Brunilda Laboviti dhe Elona Mustafaraj, ku kjo e fundit mori 140 vota, ndërsa 73 vota u shpallën të pavlefshme.

Pavarësisht rezultatit zyrtar, Valbona Treska refuzon të njohë kalimin e detyrës, duke e kushtëzuar atë me shqyrtimin e ankimeve, çka ka përshkallëzuar më tej përplasjen në krye të institucionit.

Grindja mes administratës së vjetër dhe asaj të re vazhdon, duke lënë pezull zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe funksionimin normal të institucionit.

Të fundit