Flash News

E-TJERA

Përqendrimi i pronësisë së mediave në duart e disa biznesmenëve vështirëson punën e gazetarëve

Përqendrimi i pronësisë së mediave në duart e disa

Pronësia e medias në Shqipëri është përqendruar në duart e disa familjeve të fuqishme biznesi, të cilat zotërojnë shumicën e audiencës.

Ky përqendrim jo vetëm kufizon lirinë e shtypit, por ngre shqetësime për ndikimin politik, pavarësinë e medias dhe transparencën.

Gazetarët gjenden gjithnjë e më shumë mes integritetit profesional dhe presioneve të censurës apo auto-censurës në një peizazh të dobësuar mediatik.

Komisioni Evropian, Reporterët pa Kufij, Freedom House, Departamenti Amerikan i Shtetit, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Ballkanin Perëndimor, si dhe organizata të tjera, kombëtare e ndërkombëtare e cilësojnë Shqipërinë në raportet e tyre periodike si një vend me rrezikshmëri të lartë, sa i përket lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve.

Kjo situatë ka ardhur drejt një përkeqësimi gradual, veçanërisht gjatë viteve të fundit, aq sa në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2024, të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RSF), Shqipëria renditet në vendin e 99, e parafundit në Evropë, duke lënë pas vetëm Turqinë.

Përqendrimi i pronësisë së medias në duart e pak bizneseve dhe konflikti i interesave mes botës së biznesit dhe politikës, korniza e mangët ligjore dhe dhuna ndaj gazetarëve janë problemet kryesore, që nënvizohen në çdo raport vjetor të institucioneve dhe organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare. Edhe pse vendi ka nisur negociatat për anëtarësim në BE, gjendja e lirisë së medias në Shqipëri vijon të jetë alarmante, me një situatë që duket se më shumë se interesit publik i shërben biznesit dhe politikës.

Mbi dy të tretat e audiencës në duart e 4 familjeve

Në vitin 2016, pavarësisht thirrjeve të organizatave ndërkombëtare të medias dhe të demokracisë, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë pikën 3 të nenit 62, në Ligjin për Mediat Audiovizive 97/2013. Ky nen ndalonte çdo person fizik ose juridik, që të kishte më shumë se 40% të kapitalit të përgjithshëm të shoqërisë aksionare, që zotëron një licencë kombëtare për transmetimet audio apo audiovizive.

Ankimi si antikushtetues ishte bërë në gjykatë nga Shoqata e Mediave Elektronike të Shqipërisë – e drejtuar nga pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj, – ku bëjnë pjesë televizionet dhe mediat më të mëdha në vend, me argumentin se bie ndesh me parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe barazinë para ligjit.

Sipas Blerjana Binos, duhet të ndërtohet një mekanizëm mes organeve ligjzbatuese, posaçërisht për sulme ndaj medias dhe gazetarëve, i cili të reagojë shpejt, sa herë që ka incidente të tilla.

“Duhet të ndërtohet një mekanizëm ndërinstitucional, pra prokurori, polici, gjykatë, shoqata, organizata të medias, idealisht edhe përfaqësues parlamenti, që të reagojnë në mënyrë të shpejtë, në rastet kur gazetarët ose punonjësit e medias, ose ata që janë freelancer, janë të sulmuar. Elementi i dytë është ngritja e databazës, në mënyrë të tillë që të mund të gjurmosh sa raste janë dhe ku jemi me hetimin dhe nëse janë dënuar fajtorët apo jo, sepse një problem kryesor është edhe pandëshkueshmëria”, – thotë Bino.

Në raportin e Rrjetit për Gazetarë të Sigurt në Ballkanin Perëndimor vihet re një rritje eksponenciale e rasteve të dhunës verbale dhe asaj fizike ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias në Shqipëri, deri në dyfishim, nga 33 raste në vitin 2022, në 73 raste në vitin 2023.

Ndërsa vetë gazetarët ndihen gjithnjë e më të pambrojtur dhe të papërfaqësuar, duke i bërë ata skeptikë, jo vetëm ndaj institucioneve publike, por edhe për “dritën në fund të tunelit” se një ditë situata do të përmirësohet. Por, si mund të përmirësohet ky realitet dhe çfarë duhet të bëjë media dhe gazetarët?

 

“Së pari, duhet konsolidimi i proceseve të vetorganizimit dhe krijimi i Sindikatës së Gazetarëve dhe kontratës kolektive. Së dyti, përforcimi i zbatimit të ligjit për kodin e punës dhe i rolit të Inspektoratit të Punës për inspektimet përmes një metodologjie sipas standardeve evropiane dhe të konsultuar gjerësisht, për të shmangur përdorimin e njëanshëm ose selektiv.

 

Së treti, ndërgjegjësimi dhe fuqizimi i gazetarëve apo i punonjësve të medias për të ndjekur rrugën ligjore në rast të pushimeve të padrejta nga puna apo cenimeve të kontratës – ndaj dhe shoqatat e konsoliduara, sindikatat apo ndihma ligjore falas janë thelbësore në këtë drejtim”, – shprehet Blerjana Bino.

 

Me nisjen e negociatave për anëtarësim në BE një nga detyrat që Shqipëria do të duhet të plotësojë është edhe përmirësimi i lirisë së medias dhe krijimi i një mjedisi që promovon transparencën, aksesin në informacion dhe zhvillimin e medias. Konkretisht, liria e medias, zhvillimi i saj, si dhe transparenca dhe aksesi në informacion janë pjesë e seksionit të parë (cluster) gjatë procesit të negociatave me vendin tonë. Kjo duket të jetë edhe shpresa e vetme për median në vendin tonë që të ndryshojë kurs, duke ia rikthyer atë misionit të informimit të publikut.

/INA MEDIA

Të fundit