Flash News

E-TJERA

Pezullohen 5 policë, mes tyre dhe efektivi i përfshirë në konfliktin me armë në Lezhë

Pezullohen 5 policë, mes tyre dhe efektivi i përfshirë në

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra pesë punonjës, për shkak të shkeljeve disiplinore dhe dyshimeve për veprime korruptive apo penale. Mes tyre është edhe efektivi i përfshirë në incidentin me armë që ndodhi më 1 shkurt në Rrilë të Lezhës.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, dy inspektorë të Seksionit të Trafikut në Fier janë pezulluar pasi dyshohen se kanë marrë ryshfet gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti. Ndërkohë, tre punonjës të tjerë janë pezulluar për përdorim të lëndëve narkotike, shkelje të rregullave të qarkullimit dhe përfshirje në veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Njoftimi nga policia: 

Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, ku duken dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, njëri prej të cilëve dyshohet se ka marrë ryshfet nga drejtuesi i automjetit për të shmangur masën administrative, ju informojmë se:

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektor Sh. Ç. dhe inspektor I. L., me detyrë trupë shërbimi trafiku urban/interurban në Seksionin e Trafikut Urban/Interurban, në Sektorin e Policisë Rrugore, në DVP Fier, për shkelje disiplinore të parashikuar nga neni 121, pika 1, germa “m”, e Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë imazhin e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Pezullimi disiplinor u bë pasi, duke qenë në shërbim, kanë kryer veprime në shkelje të procedurave standarde të punës gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti, si dhe dyshohet për kryerje të veprimeve korruptive. Ndaj këtyre punonjësve ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë.

Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale janë pezulluar nga detyra edhe tre punonjës policie, konkretisht:

– Inspektor B. K., i cili më datë 02.02.2026 është ndaluar me urdhër të Prokurorit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrilë të Lezhës më datë 01.02.2026.

– Inspektor E. P., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mat, pasi dyshohet për përdorim të lëndëve narkotike.

– Inspektor E. B., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, pasi më datë 02.02.2026 është arrestuar nga AMP, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Të fundit