Flash News

E-TJERA

Plagosja e dyfishtë në Sarandë/ Policia zbardh dinamikën, në kërkim 4 persona (EMRAT)

Plagosja e dyfishtë në Sarandë/ Policia zbardh dinamikën,

Policia ka zbardhur detaje nga përplasja me armë zjarri që u regjistrua një ditë më parë në Sarandë ku mbetën të plagosur Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj.

Blutë bëjnë me dije se lidhur me ngjarjen janë shpallur në kërkim katër persona konkretisht: Erjon Canaj (36 vjeç), Artan Murtaj (43 vjeç), Klaus Jaçaj (31 vjeç) dhe Ramadan Zoti (43 vjeç).

Sipas policisë konflikti ka nisur për motive të dobëta mes palëve dhe më pas ka eskaluar në përdorim të armëve. Ka qënë Ramadan Zoti ai i cili dyshohet se ka qëlluar drejt Hajdarajt dhe Lamës, duke i plagosur rëndë të dy. Ata ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

Bëhet me dije gjithashtu se është arrestuar një nga të plagosurit (Gëzim Hajdarajn) pasi gjatë kontrollit fizik i është gjetur një armë zjarri. Hajdaraj po hetohet për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar si prova materiale 4 gëzhoja arme zjarri, një pistoletë dhe municione.

Njoftimi i plotë i policisë:

Sarandë/Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, në Sarandë, ku dy shtetas mbetën të plagosur me armë zjarri.

Shpallen në kërkim 4 shtetas të përfshirë në këtë ngjarje, njëri prej të cilëve tentoi të vriste me armë zjarri dy shtetasit.

Vihet në pranga edhe një prej të plagosurve, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë.

Në vijim të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 17.07.2025, rreth orës 15:00, në një lokal, në lagjen nr. 3, Sarandë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale të nevojshme për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ku si rezultat u shpallën në kërkim katër shtetas:

       •      R. Z., 43 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë.

       •      E. C., 36 vjeç, A. M., 43 vjeç, dhe K. J., 31 vjeç, të tre banues në Sarandë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se për motive të dobëta, këta shtetas janë konfliktuar fizikisht me shtetasit G. H., 33 vjeç, dhe E. L., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe gjatë këtij konfliktit, shtetasi R. Z. dyshohet se ka qëlluar drejt tyre me armë zjarri, duke i plagosur rëndë të dy. Shtstasit G. H, dhe E. L,  ndodhen në Spitalin e Traumës, Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë hetimeve dhe kontrolleve të ushtruara në kuadër të zbardhjes së kësaj ngjarjeje, shtetasit G. H. iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në vendngjarje u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 gëzhoja arme zjarri, një armë zjarri pistoletë tip “Beretta” dhe një krehër me 9 fishekë.

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Të fundit