Flash News

E-TJERA

Plagosja e familjes në Velipojë nga shpërthimi i bombolës, arrestohet tregtari i gazit

Plagosja e familjes në Velipojë nga shpërthimi i bombolës,

Pak ditë pas shpërthimit të bombolës së gazit në Velipojë, ku mbeti e plagosur nëna së bashku me tre fëmijët, është vënë në pranga tregtari që u shiti gazin.

Policia konstatoi se gazi që përdorte hoteli tregtohej në kundërshtim me ligjin nga Petrit Mlloja, i cili ushtronte tregtinë e palicensuar të gazit të lëngshëm dhe naftës.

Sipas policisë, Mlloja ka shkelur masën e bllokimit të aktivitetit duke vazhduar tregtimin pa licencë të gazit të lëngshëm dhe të naftës, jashtë kushteve tekniko-ligjore.

Njoftimi i policisë: 

Ushtronte pa licencë aktivitetin tregtar të shitjes së gazit, vihet në pranga nga Policia.

Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit

P. M., 46 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët djegëse” dhe “Tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve djegëse, në kundërshtim me ligjin”.

Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 04.07.2021, në fshatin Pulaj Plazh, Velipojë, Shkodër, në një hotel trekatësh, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi mbetën të dëmtuar shtetasit A. Gj. 40 vjeçe, D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe dhe E. Gj. 12 vjeç, u konstatua se gazi që përdorej në këtë hotel tregtohej në kundërshtim me ligjin nga shtetasi P. M., të cilit një ditë pas ngjarjes iu bllokua aktiviteti nga ISHTI.

Shtetasi P. M. e ka shkelur masën e bllokimit të aktivitetit duke vazhduar tregtimin pa licencë të gazit të lëngshëm dhe të naftës, jashtë kushteve tekniko-ligjore.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Të fundit