Flash News

E-TJERA

Platformë propagande? Pjesëmarrësja: Samiti i Diasporës me panele të dominuara nga Shqipëria

Platformë propagande? Pjesëmarrësja: Samiti i Diasporës me

Samiti i Diasporës, i konceptuar si një urë lidhëse me shqiptarët nëpër botë, ka ndezur debate të forta rreth qëllimit dhe efektivitetit të tij, duke ngritur pyetjen nëse ishte një forum zgjidhjesh apo një platformë propagande.

Kritikat më të zëshme erdhën nga vetë pjesëmarrësit. Gjatë një interviste në “Ora News”, autorja dhe mësuesja Anila Kadija, pjesëmarrëse aktive në Samit, denoncoi një çekuilibër thelbësor në organizim: dominimin e folësve nga Shqipëria në panelet që supozohej t’i dedikoheshin diasporës.

“Panelet nuk ishin strukturuar për të siguruar një përfaqësim të barabartë, të paktën 50 me 50, mes diasporës dhe përfaqësuesve nga Shqipëria,” theksoi Kadija.

Sipas saj, kjo mungesë balance e minon dialogun e ndërsjellë, pasi përjashton ekspertizën unike të atyre që i jetojnë drejtpërdrejt sfidat jashtë vendit.

Kadija argumentoi se zgjidhjet dhe idetë që vijnë nga diaspora janë autentike dhe të ankoruara në realitet.

“Një ide nga diaspora buron nga dikush që e njeh thellësisht terrenin, problematikat dhe dinamikat specifike të komuniteteve tona jashtë,” shtoi ajo.

Problemi, sipas saj, shkon përtej përbërjes së paneleve. Ajo kritikoi një dinamikë ku diaspora ftohet të dëgjojë dhe të bëjë pyetje, në vend që institucionet të kërkojnë në mënyrë proaktive mendimin dhe ekspertizën e saj.

Për të arritur rezultate konkrete me diasporën, së pari duhet ta dëgjosh atë,” ishte mesazhi i saj i prerë.

 

Të fundit