Flash News

E-TJERA

Plotësohet kuorumi i nevojshëm, Meta dekreton anëtarin e 13-të të Gjykatës së Lartë

Plotësohet kuorumi i nevojshëm, Meta dekreton anëtarin e

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar emërimin e Sokol Ngresit si anëtarin më të ri në Gjykatën së Lartë, pas propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë bëhet me 13 gjyqtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë. Nga sot Gjykata e Lartë gëzon kuorumin e nevojshëm (2/3 e anëtarëve) për t`u mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara.

Gjykata e Lartë, pas 5-vitesh në pamundësi për ta ushtruar këtë funksion themelor të saj,  nga sot mundet të ndryshojë/unifikojë praktikën gjyqësore. Ajo rikthehet në funksionalitet për të shqyrtuar çështje në Kolegje të Bashkuara dhe për të përmbushur plotësisht misionin e saj për çështje që kanë nevojë unifikimin e zbatimit të ligjit.

Presidenti ka përsëritur thirrjen publike, ndaj të gjithë institucioneve se, Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie, jo vetëm të pavarur, por dhe plotësisht funksional e eficient.

Meta rithekson se:

- Pavarësia e sistemit të drejtësisë, sidomos për gjyqtarë të karrierës, duhet të garantohet në themel të saj. Vetëm kjo rrit besimin e gjithë shoqërisë tek sistemi i drejtësisë që duhet të sigurojë në vijimësi një staturë, që garanton pavarësi të gjyqtarëve dhe veprime të paanshme të shërbimit publik gjyqësor në tërësi.

- Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dhe gjithë institucionet e tjera shtetërore të përfshira apo në mbështetje të këtyre proceseve, duhet të angazhohen me të gjitha burimet dhe me vullnet për të bërë sa më shpejt funksionale me kapacitet të plotë Gjykatën e Lartë, Gjykatës Kushtetuese, dhe sistemin e ndjekjes penale.

- Për këtë, të gjithë institucionet e tjera shtetërore të përfshira apo në mbështetje të këtyre proceseve, duhet të ofrojnë dhe të mos bëhen pengesë për punën e organeve qeverisëse të sistemit, të ofrojnë gjithë informacionin e nevojshëm, në mënyrë serioze, duke vlerësuar rëndësinë që ka kjo çështje dhe jashtë çdo ndikimi.

- Asnjë institucion që mbështet procesin e verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve për Gjykatat më të rëndësishme në vend, nuk duhet të neglizhojë përmbushjen e detyrave dhe dhënien e informacionit për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, apo Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

- Përpos këtyre, vëmendja nuk duhet të humbasë, ndaj nevojës ekstreme që ka sistemi gjyqësor për  plotësimin e vakancave të mëdha të krijuara në Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Rretheve Gjyqësore të Shkallës së Parë. 

 

Të fundit