Flash News

E-TJERA

SPAK mbyll hetimet për dosjen e hakerimit/ Nën akuzë ish-drejtori i Burgjeve dhe dy persona të tjerë

SPAK mbyll hetimet për dosjen e hakerimit/ Nën akuzë ish-drejtori

SPAK ka përfunduar hetimet lidhur me hakerimin e sistemeve të tij informatike dhe ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë tre persona, mes tyre edhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Arnold Rrokaj, i cili ndodhet nën masën e sigurimit “arrest në burg”, akuzohet për veprat penale “hyrja e paautorizuar kompjuterike” dhe “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Rrokaj përballet gjithashtu me akuzat për “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale”, të parashikuara nga nenet 192/b, 293/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Po ashtu, Zambak Gjoni, i arrestuar, akuzohet për “përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike” dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, Agim Ismaili, i hetuar në gjendje të lirë, përballet me akuzat për “përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike” dhe bashkëpunim në grup të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, Arnold Rrokaj ka aksesuar në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Një pjesë e këtyre materialeve janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme tek Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët më pas i kanë kaluar tek persona të tretë.

Autoritetet arritën të identifikojnë brenda 24 orësh Rrokajn dhe Gjonin, duke i arrestuar menjëherë. Ky ndërhyrje ka parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore, të cilat përbënin rrezik serioz për proceset penale në zhvillim.

Dosja tashmë është dërguar për gjykim, ku tre të pandehurit do të përballen me akuza të rënda për krime kibernetike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Të fundit