Flash News

E-TJERA

Policia bën bilancin e muajit maj: 625 të arrestuar dhe 415 mijë euro pasuri të sekuestruara

Policia bën bilancin e muajit maj: 625 të arrestuar dhe 415 mijë

Policia e Shtetit ka publikuar bilancin e punës për muajin maj 2025, duke evidentuar rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës, armëmbajtjes pa leje dhe veprave të tjera penale.

Gjatë majit janë finalizuar 99 operacione policore, 34 prej të cilave me karakter ndërkombëtar. Në pranga kanë përfunduar 625 persona të dyshuar për vepra penale, ndërsa janë sekuestruar 50 armë zjarri, rreth 84 kg kanabis, sasi të kokainës dhe 2861 fara cannabisi. Janë bllokuar gjithashtu para dhe pasuri me burime të dyshimta, në vlerë rreth 415 mijë euro.

Në kuadër të megaoperacionit “Koordinata”, janë asgjësuar 8269 bimë dhe fidanë cannabisi. Vetëm në Tiranë dhe Shkodër, janë arrestuar 13 persona që trafikonin armë për grupe kriminale, ndërsa në Durrës, 7 persona, mes tyre 3 me rrezikshmëri të lartë, u arrestuan me armë të gatshme për qitje në një restorant.

Janë zbardhur 10 ngjarje kriminale të rënda dhe janë parandaluar 8 konflikte me potencial për përshkallëzim, përfshirë raste me armë zjarri. Në Fier u zbulua një banesë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me llamba, ndërsa në Tiranë u godit një “call center” mashtrimi kompjuterik.

Po ashtu, janë finalizuar 22 operacione kundër vjedhjeve dhe janë goditur 13 raste të kontrabandës në pikat kufitare. U ndërprenë gjithashtu aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit dhe tentativa për trafik emigrantësh.

Policia Rrugore ka vijuar me monitorime intensive, duke arrestuar 155 drejtues mjetesh, 107 për drejtim nën efektin e alkoolit dhe 48 pa leje drejtimi. Janë pezulluar 191 leje drejtimi, ndërsa janë vendosur mbi 12 mijë gjoba për shkelje të normave të shpejtësisë.

Policia Kufitare ka evidentuar 50 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 22 tentativa me dokumente false dhe 6 raste të trafikimit të mjeteve motorike.

Policia e Shtetit nënvizon se do të vijojë pa ndërprerje luftën kundër kriminalitetit dhe i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo paligjshmëri për një ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive.

 

Të fundit