Flash News

E-TJERA

Policia greke bastis qelitë e shqiptarëve në Koridhalos, zbulohet arsenal dhe drogë te “bosi i mafies së burgjeve”

Policia greke bastis qelitë e shqiptarëve në Koridhalos, zbulohet

Policia greke ka ndërmarrë një operacion kontrolli në qelitë e të burgosurve shqiptarë në burgun famëkeq të Koridhalos, mbrëmjen e së dielës. Fokusi i aksionit ishte krahu i 5-të, ku mbahen disa nga emrat më të rrezikshëm të botës së krimit.

Gjatë kontrolleve, forcat policore kanë sekuestruar dy telefona celularë, dy thika të improvizuara dhe një sasi prej 0.4 gramësh kokainë. Mes qelive të kontrolluara ishte edhe ajo e Klod Cara, i njohur me identitetin tjetër Klodian Lekocaj – një prej emrave më të njohur në kronikën e zezë greke.

Ndaj dy të dënuarve është lëshuar urdhër-arrest i ri për shkelje të ligjit për armët dhe drogën, ndërsa hetimet janë zgjeruar edhe për dy persona të tjerë. Materialet janë dorëzuar në prokurori.

Lekocaj, 48 vjeç, vetëm dhjetë ditë më parë u përfshi në një incident të rëndë ku akuzohet se mbajti peng disa gardianë të burgut për të kaluar në një sektor tjetër, dyshohet për të kryer një atentat me pagesë.

I etiketuar nga media greke si "Kreu i Mafies së Burgjeve", Lekocaj është një figurë kontroverse me një histori të gjatë kriminale brenda dhe jashtë ambienteve të paraburgimit. Ai është përfshirë në disa hetime për vrasje të porositura, përfshirë dhe atentate të dështuar ndaj personave të lidhur me grupet rivale apo për prishje pazari droge.

Në vitin 2022, hetimet e policisë greke zbuluan se kishte urdhëruar një vrasje përmes dy shqiptarëve që u kapën me armë në automjet dhe banesë. Ndërkohë, ai rezulton i përfshirë edhe në vrasjen e avokatit të njohur grek, Mixalis Zafiropoulos, si dhe në tentativa të tjera për vrasje, gjobëvënie, trafik droge, arratisje spektakolare dhe përfshirje në rrjete të organizuara kriminale.

Përveç një sërë emrash të përfshirë në aktivitete kriminale në Greqi, Klodian Lekocaj dyshohet të ketë qenë i lidhur me vrasës me pagesë dhe persona të tjerë të botës së krimit si Arbër Bako, Olti Dulce, Elvis Pepa e të tjerë.

Në prill 2025, emri i tij është rikthyer sërish në skenë, kur u përfshi në një dosje të re për porositjen e atentatit ndaj shqiptarëve Kristjanis Stefa dhe Florian Bajraktari, një ngjarje që ndodhi në 23 shtator 2024 në Greqi.

Të fundit