Flash News

E-TJERA

Policia hedh poshtë deklaratat për përfshirjen e një autori të dytë në vrasjen e 14-vjeçarit në Tiranë

Policia hedh poshtë deklaratat për përfshirjen e një autori

Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar pretendimet e Fiqiri Meçes, babait të 14-vjeçarit të plagosur në sherrin ku mbeti i vrarë Martin Cani, për përfshirjen e një autori të dytë në këtë ngjarje tragjike.

Në një njoftim zyrtar, Policia deklaron se hetimet e deritanishme, të mbështetura në dëshmi dhe pamje filmike nga vendi i ngjarjes, nuk tregojnë për implikimin e një autori tjetër.

Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe, në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë në këtë ngjarje,” thuhet në njoftim.

Policia thekson se burime të caktuara po angazhohen në një “fushatë mediatike dizinformimi” lidhur me ngjarjen, duke dëmtuar sekretin hetimor dhe duke konfuzuar opinionin publik.

Për të qartësuar çdo pretendim dhe për të zbardhur të vërtetën, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ka marrë në pyetje prindin e të miturit të dëmtuar, ndërsa hetimet intensive për identifikimin e përgjegjësve të ngjarjes vazhdojnë.

Policia u bën thirrje mediave të shmangin keqpërdorimin e tragjedisë për të mos dëmtuar procesin hetimor dhe zbulimin e së vërtetës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku një sherr mes adoleshentësh përfundoi me vrasjen e një 14-vjeçari dhe plagosjen e një tjetri.

Të fundit