Flash News

E-TJERA

Policia paralajmëron përdoruesit e “Apple”: Kujdes mesazhet që ju vijnë!

Policia paralajmëron përdoruesit e “Apple”: Kujdes

Policia e shtetit, paralajmëron të gjithë përdoruesit e iPhone të kenë kujdes pasi po qarkullojnë shumë mesazhe me anë të iMessage ku premtohen shuma të konsiderueshme parash.

Sipas policisë, dinamika është ende e paqartë, por mesazhe që vijnë nga adresa të ndryshme iCloud, premtojnë të ardhura të konsiderueshme, por në këmbim mund të marrin në posedim të dhënat e shtetasve shqiptarë.

Njoftimi i Policisë:

Nga monitorimi i vazhdueshëm i hapësirave virtuale, në rrjete sociale, me qëllim evidentimin e veprimtarive të kundraligjshme, kryesisht në fushën e krimeve kibernetike, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, kanë konstatuar se në mënyrë të përsëritur, kryesisht përdoruesve që përdorin pajisje komunikimi “Apple”, u dërgohen me iMessage, mesazhe nga adresa ndryshme iCloud.

Personave marrës të këtyre mesazheve, iu premtohen të ardhura të konsiderueshme në valuta të huaja, duke pasur si kriter vetëm përdorimin e aparatit të tyre celular, dhe personat e interesuar (autorët), i ftojnë të komunikojnë nëpërmjet aplikacionit “Telegram”.

Duke marrë në konsideratë se ky aktivitet, dinamika e të cilit nuk është ende e qartë plotesisht, nëpërmjet joshjes financiare, mund të marrë në posedim të dhënat personale të shtetasve shqiptarë, ju informojmë të bëni kujdes me të dhënat tuaja.

Nqs ju ka ardhur një mesazh i tillë, dhe ju keni shpërndarë të dhënat tuaja personale, apo jeni mashtruar nga një aktivitet i tillë, ju ftojmë të paraqiteni pranë zyrave tona si dhe zyrave policore të Krimeve Kompjuterike dhe Kibernetike në Drejtoritë Vendore të Policisë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kompjuterike e Kibernetike në DPPSH.

Të fundit