Flash News

E-TJERA

Video/ Zbulohet arsenal armësh në një banesë në Fushë-Krujë, dyshime për lidhje me atentatin në Rinas

Video/ Zbulohet arsenal armësh në një banesë në

Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion të gjerë në zonën e Fushë-Krujës, në kuadër të hetimeve për atentatin e 12 nëntorit pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani.

Operacioni policor, i koduar “Tracking”, u organizua nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, dhe vijon ende në terren.

Gjatë kontrollit të një banese në fshatin Zall të Fushë-Krujës, policia ka zbuluar një arsenal të plotë armësh, minash të telekomanduara dhe lëndësh plasëse, që dyshohet se janë përdorur ose përgatitur për veprime kriminale.

Policia njoftoi se Ylli Zalla, pronari i banesës u shpall në kërkim, ndërsa theksoi se po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari, me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotulli i Rinasit.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Zhvillohet operacioni policor i koduar “Tracking”, nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.

Operacioni, ende në vijim në rrethin Krujë, në kuadër të punës intensive hetimore dhe operacionale, me objektiv zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së datës 12.11.2025, te rrethrrotullimi i Rinasit.

Zbulohet një banesë në fshatin Zall, Fushë Krujë, ku mbahej arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni.

Gjatë kontrolleve, u gjetën në këtë banesë:
-3 kallëpë tritol;
-12 granata dore sulmuese;
-sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina);
-3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
-4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
-6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-2 kg e 25 gramë Cannabis.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç.

Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari, me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotulli i Rinasit.

Operacioni policor i koduar “Tracking”, vijon.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Të fundit