Flash News

E-TJERA

Politika përballë sfidave të 2022-shit/ Alibeaj dhe Balla tregojnë prioritetet dhe ‘ngërçet’

Politika përballë sfidave të 2022-shit/ Alibeaj dhe Balla

Viti 2022 do të jetë edhe një vit plot sfida për politikën shqiptare, si për maxhorancën ashtu dhe për opozitën.

Beteja brenda selisë blu, nuk dihet se si do përfundojë. Po ashtu, e hapur mbetet edhe çështja e presidentit Ilir Meta, të cilit i përfundon mandati në korrik, apo edhe ndërhyrja në Kushtetutë për të zgjatur mandatin për organet e vetting-ut.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një intervistë për Top Channel kanë dhënë këndvështrimet e tyre në syrin e një maxhorance dhe opozite, lidhur me çështjet që do të sfidojnë parlamentit e 2022-shit.

Sa i përket ndryshimeve të kërkuara nga socialistët, Alibeaj shprehet se duhet një arsye më e fortë për të bërë ndryshime.

“Ne nuk e kemi kushtëzuar qëndrimin tonë me iniciativat tona kushtetuese. A është situatë ngërçi? Nuk më duket e tillë. Duhej të kishte një arsye të fortë për të ndërhyrë në Kushtetutë. Kushtetuta s’mund të jetë çarçaf në të cilin mund të shënojmë gjithkund për interesa të vogla jopublike”, tha Alibeaj.

Nga ana tjetër, për Ballën kjo nuk është vetëm një çështje e PS-së. “Nuk është një çështje e axhendës politike të PS-së. Por është një çështje mbi palët. Kështu që unë shpresoj që këtë qasje ta kuptojnë edhe kolegët e PD-së”, tha Balla.

Ndër prioritet e këtij viti, Balla ka renditur të parën mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë që shënjon edhe një hap më të sigurt në procesin e integrimit. Opozita ka tjetër prioritet. “Ndarja nga e shkuara është detyrim i yni për t’i eksploruar të gjitha rrugët parlamentare të gjitha iniciativat tona kushtetuese, zgjedhore territoriale, protestat janë një nga mjetet”, u shpreh Alibeaj.

Për çështjen e shkarkimit ose jo të presidentit Meta, Balla shtroi dy teza. “Natyrshëm që kërkon dialog në rastet e përpjekjeve për ta zgjedhur me konsensus, në rast të mungesës së konsensusit zgjidhet me 50% + 1 me anëtarët e Kuvendit”, tha Balla.

Ndërsa Aliebaj u shpreh se “do të ishte lojë e vogël të fillojmë të mendojmë për president të vogël apo demokrat. Më tepër se sa produkti me rëndësi është procesi.”

Të fundit