Flash News

E-TJERA

PPE rezolutë për Shqipërinë: Qeveria të tejkalojë krizën kushtetuese dhe politike, të zbatohet opinioni i ‘Venecias’ për Kodin Zgjedhor

PPE rezolutë për Shqipërinë: Qeveria të tejkalojë

Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane ka dalë me një rezolutë mbi zhvillimet politike në Shqipëri.

Përmes kësaj rezolute të miratuar këtë të hënë (7 Dhjetor) ka apeluar qeverinë të bëjë çdo përpjekje për të tejkaluar krizën kushtetuese dhe politike në Shqipëri.

Asambleja shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike në përpjekjet e saj për të gjetur zgjidhje për shqetësimet e saj legjitime dhe për të mbështetur aspiratat europiane të qytetarëve shqiptarë.

PPE vlerëson si jetike rëndësinë e zgjedhjeve të lira në përparimin në procesin e integrimit dhe dakordësinë e 5-Qershorit, ndërsa dënon shkeljen e saj nga qeveria me ndryshime ligjore të njëanshme. Asambleja Politike e PPE nxit fuqimisht Kuvendin e Shqipërisë që t’i bindet dhe të zbatojë menjëherë opinionin e kërkuar nga Komisioni i Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me zgjedhjet e 25 prillit.

PPE i bën thirrje të dënohen zyrtarët e partisë në pushtet të përfshirë në krime zgjedhore referuar dosjeve të Prokurorisë nr. 184 dhe 339 dhe e konsideron të papranueshëm bllokimin e drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë.

Në këtë kontekst, rezoluta kërkon fuqimisht luftimin e pastrimit të parave të investuara në projektet e ndërtimit në rastet e Bashkisë së Tiranës.

Për Asamblenë politike të PPE-së, funksionimi normal i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Larta dhe institucioneve të tjera të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent, ashtu sikundër progresi institucional i Reformës në Drejtësi është i pamjaftueshëm për sa kohë asnjë rast i korrupsionit të lartë nuk është dënuar apo sjellë përpara drejtësisë.

Shqipërisë i kërkohet të ofrojë shembuj konkretë dhe të qartë të progresit në këtë drejtim.

Gjithashtu, rezoluta adreson shqetësimin e Bashkimit Europian sa i përket Ligjit për Median të Dhjetorit 2019 dhe mosveprimit të qeverisë dhe Kuvendit pas opinionit përkatës të Komisionit të Venecias.

Të fundit