Flash News

E-TJERA

Prej vitesh në kampin "Al Hol", riatdhesohen 5 gra dhe 14 fëmijë; Rama njofton tjetër operacion: Dy persona refuzuan të vinin

Prej vitesh në kampin "Al Hol", riatdhesohen 5 gra dhe 14

Pesë gra dhe 14 fëmijë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në Shqipëri. Ata u riatdhesuan prej kampit "Al Hol” në Siri, ku jetonin prej disa vitesh.

Të riatdhesuarit u pritën në aeroportin e Rinasit nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. Në një prononcim për mediat, pasi priti të riatdhesuarit, Rama u shpreh se operacioni u realizua falë ndihmës së gjeneralit Abass Ibrahim.

Kryeministri njoftoi se do të ketë një tjetër operacion për të riatdhesuar shqiptarët që jetojnë në kampin famëkeq në Siri. Sa i përket numrit të shqiptarëve që do të riatdhesohen në këtë operacion, ai tha se do të jetë i ngjashëm me këtë që përfundoi sot.

Rama deklaroi se dy shqiptarë kanë refuzuar të riatdhesohen, pasi kanë patur frikë për jetën. Ai shtoi se nga informacionet e marra, ata kanë qenë pengje. Rama bëri me dije se gjatë këtij operacioni ishte vënë në rrezik dhe jeta e atyre që e ndoqën këtë proces.

“Këtë herë kanë ardhur 14 fëmijë që mundëm ti shkëpusim pas një përpjekjeje të gjatë dhe një operacioni të ndërlikuar me shumë vështirësi dhe jo pak  rreziqe dhe nuk diskutohet falë ndihmës së posaçme kosulli ynë i nderit në liban dhe gjenerali Abass, të cilin e kam falënderuar dhe më parë në një konferencë për shtyp.

Është një ngjarje pozitive por sdo ndalemi këtu ka dhe një operacion tjetër për të zhvilluar me një numër që ende nuk e dimë saktësisht sepse është një punë terreni për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden por llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin në mos pak më të vogël.

Ka dhe persona që kanë refuzuar, por që nga informacionet thuhet se janë pengje, pengje brenda kampeve. Frikën e kanë se gjatë momentit të shkëputjeve mund t’ju merren jetën. Në dijeninë tonë ka dy persona që kanë refuzuar, dhe nuk kanë bërë hapin për t’u paraqitur", tha Rama.

Të fundit