Flash News

E-TJERA

Përzgjedhja e kandidatëve për BKH-në përfundon në Gjykatë, aplikanti padit procesin për hetues: Të pezullohet!

Përzgjedhja e kandidatëve për BKH-në përfundon në

Një aplikant për hetues në Byrosë Kombëtare të Hetimit ka ngritur padi në Gjykatën Administrative përmes së cilës kërkon pezullimin e procesit, me pretendimin se është eliminuar padrejtësisht.

“Me anë të kësaj kërkesë padie, kërkoj pezullimin e procedurave të konkurrimit nga Byroja Kombëtare e Hetimit, pasi në mënyrë jo transparente me anë të një veprimi administrativ ka bërë përjashtimin e 300 kandidatëve për hetues në fazën në fazën e tretë të testimit (testimi fizik) pa përcaktuar metodologjinë e vlerësimit, ku dëmtohen interesat e mia personale, interesi publik dhe procesi i rregullt ligjor në një procedurë konkurrimi që ka për qëllim rritjen e besimit të publikut pranë organeve të drejtësisë, e konkretisht”, thuhet në padi.

Sipas njoftimeve në faqen zyrtare të BKH-së procesi i aplikimit, konkurrimit dhe i përzgjedhjes kalon në 4 faza si më poshtë:

-Në fazën e parë, aplikantët duhet të plotësonin dokumentacionin vijues, formulari i aplikimit, deklarata për mungesën e konfliktit të interesit, shtojcën B2, B3 dhe C të ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, vlerësimet e punës dhe vërtetim për arsyen e largimit nga puna për rastet ku aplikohet. Në këtë proces aplikuan rreth 653 aplikantë nga ku u përzgjodhën 424 aplikantë që i plotësonin kërkesat e ligjit për vazhdimin e konkurrimit nga komisioni i përzgjedhjes.

-Në fazën e dytë u zhvillua testimi logjik. Sipas njoftimit zyrtar, aplikantët duhet të merrnin një minumim prej 12 pikësh nga 30 pikë që kishte testi, nga ku u kualifikuan 403 aplikantë sipas pikëzimit (në rend zbritës) duke i qëndruar kërkesave të ligjit nga komisioni i përzgjedhjes.

Unë paditësi në këtë fazë kam marrë 24 pikë nga 30 që ishte maksimumi me numër rendor 153.

-Në fazën e tretë, aplikantët duhet të kryenin testin fizik nga data 19.10.2020-22.10.2020 të ndarë në grupe prej 100 aplikantësh çdo ditë. Nga informacioni i publikuar në faqen zyrtare të BKH-së është kërkuar dokument identifikimi dhe vërtetim nga specialisti kardiolog, por asnjë udhëzim mbi mënyrën e pikëzimit.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të BKH-së gjatë fazës së parë është bërë e ditur për të gjithë aplikantët në momentin që do të zhvillohej testimi fizik do të ishin këto norma, pompa ulje-ngritje, palosje, 300 metra sprint dhe 2400 metra vrap “Pa përcaktuar sasinë dhe kohën për të kryer këto norma”.

-Në fazën e katërt të testimit është testi i esesë, ku ka dalë dhe udhëzues për pikët, duke treguar standard tjetër krahasuar me testin fizik që nuk ka pasur një udhëzim mbi mënyrën e pikëzimit”, deklaron paditësi.

Duke krahasuar zhvillimin e testit fizik me testin logjik, paditësi pretendon se nuk është përcaktuar asnjë minimum pikësh për testin fizik krahasuar me procedurat e ndjekura për testin logjik, duke krijuar bindjen se gjatë fazës së dytë është vepruar me standard tjetër; në faqen zyrtare të BKH-së nuk është publikuar mënyra e mbledhjes së pikëve dhe mënyra e vlerësimit, duke mos qenë transparent krahasuar me testin logjik; nuk është pasqyruar mënyra e përzgjedhjes së aplikantëve në testin fizik, duke dëmtuar imazhin e një institucioni që kërkon besimin e qytetarëve dhe do të luftojë korrupsionin në nivele të larta; rezultati i testimit fizik nuk është vlerësuar në moment por 3 ditë më pas.

Po kështu paditësi deklaron se lista e aplikantëve fitues të fazës së tretë është publikuar në faqen zyrtare të BKH-së më 23 tetor pas orës 16:00 dhe zhvillimi i fazës së katër më datë 26 tetor në orën 8:00, koha midis të cilave administrata publike e ka pushimin zyrtar dhe e pamundëson ankimin pranë organit që e ka administruar procesin. “Ky është dhe shkaku për mosadministrimin nga ana ime të dokumentacionit të nevojshëm për ta bashkëngjitur me këtë padi, dokumentacion të cilin kërkoj që Gjykata të urdhërojë palën e paditur gjatë gjykimit në themel që ta sjell.

Ai kërkon pavlefshmëri të veprimit administrativ, faza e tretë (testim fizik) në konkurrimin e zhvilluar nga data 19 tetor deri më 22 tetor për shkak të mungesës së transparencës dhe mospërcaktimit nga i padituri të minimumit të normave për kualifikimin e mënyrës së vlerësimit dhe përllogaritjes së pikëve nga ana e Komisionit të Përzgjedhjes për pozicionin hetues pranë BKH;

Sigurimin e padisë duke vendosur Gjykata, pezullimin e procesit të konkurrimit të fazës së katërt (testi i esesë) për aplikantët hetues pranë BKH-së si veprim tjetër administrativ, për shkak se ekziston mundësia e ardhjes së një dëmi të rëndë e të pariparueshëm që rrjedh nga ekzekutimi i veprimit administrativ e konkretisht afishim i listës së kandidatëve që kalojnë në fazën e katërt të konkurrimit dhe zhvillimi i kësaj faze.

Të fundit