Flash News

E-TJERA

Problematikat nga reshjet e dendura/ Mijëra hektarë tokë nën ujë, evakuohen familjet, rrëshqitje dherash në disa rrugë

Problematikat nga reshjet e dendura/ Mijëra hektarë tokë nën
Foto Ilustruese

Reshjet e dendura të shiut të dy ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit.

Emergjencat Civile njoftojnë se në qarkun e Elbasanit situata paraqitet problematike në disa zona, ku është ndërhyrë për të parandaluar hyrjen e ujit në banesa. Gjithashtu, probleme ka edhe në disa rrugë, ku ka pasur rënie gurësh, inertesh dhe aluvionesh.

Dalja nga shtrati i lumit Ishëm ka sjellë përmbytjen e mijëra hektarë tokë në disa fshatra të Fushë-Krujës. Aktualisht janë rreth 5000 ha sipërfaqe bujqësore nën ujë në fshatrat, Derven, Luz, Bilaj, Murqinë, Mallkuc dhe në fshatrat e Njësisë Administrative Ishëm.

Ndërkohë mbi 50 banesa dhe disa biznese janë të rrethuara nga uji. Probleme në këtë zonë ka pasur edhe me rrugët, ku janë bllokuar nga uji.

Si pasojë e reshjeve të dendura janë evakuar tre familje në fshatrat e Sukthit, në Durrës. Gjithashtu do të shpërndahen pako ushqimore per familjet që janë bllokuar.

Prurjet e shumta të lumit Vjosa kanë sjellë përmbytje në Vlorë, e për pasojë 10 familje janë evakuar.

Reshjet e dendura, që kanë vijuar kanë rritur sipërfaqen e tokave të përmbytura në Qarkun e Lezhës. Aktualisht janë rreth 600 hektarë tokë nën ujë, ndërsa në disa fshatra ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Ndërkohë Bashkia Shkodër bëri me dije se 2060 hektarë janë nën ujë dhe se rruga e Obotit është e kalueshme vetëm me varkë. Fshati Obot është pa energji elektrike. Ujësjellësi Oblika 1 mbetet jashtë funksionit.

Moti i keq ka shkaktuar rrëshqitje të dherave në aksin Peshkopi-Kukës, në vendin e quajtur përroi i Kapshtit. Për pasojë rruga është bllokuar për rreth 1 orë.

Autoritetit Rrugor Shqiptar njofton se është ndërhyrë dhe qarkullimi vijon normal në segmentet, Librazhd-Elbasan, Elbasan-Gjinar, Fushë Arrëz-Kalimash Mollas-Selitë. Gjithashtu rekomandon që në rrugën e Dardhës të qarkullohet me zinxhirë.

Të fundit