Flash News

E-TJERA

“Procesi u manipulua”, reagon BKH pas kallëzimit nga 7 të skualifikuarit: Kandidatët që vijojnë garën mbikëqyren nga 3 prokurorë të SPAK

“Procesi u manipulua”, reagon BKH pas kallëzimit nga 7 të

Një ditë pasi shtatë nga kandidatët për hetues të BKH-së që u skualifikuan nga gara pasi nuk arritën të merrnin pikët e nevojshme në testin fizik kanë kallëzuar për shpërdorim detyre dhe manipulim të rezultateve Komisionin e Përzgjedhjes së Vlerësimit, vjen reagimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

BKH sqaron se kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe hapat e procesit të përzgjedhjes janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar.

Po ashtu, sipas BKH, kandidatët të cilët po garojnë për të qenë pjesë e Byroja Kombëtare e Hetimit janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore.

“Byroja Kombëtare e Hetimit, me qëllim përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj popullit shqiptar, duhet t’ju përmbahet standardeve më të larta.

Me këtë qëllim, kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe janë zgjedhur të tilla për të krijuar një grup unik dhe të përzgjedhur hetuesish. Të gjithë hapat e procesit të përzgjedhjes, shumë prej tyre të ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë.

Këta hapa përfshijnë verifikimin e aplikuesve për përmbushjen e kritereve, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, shkrimin e esesë, intervistën me panel, testin e poligrafit dhe verifikimin e pasurisë dhe figurës.

Ndërkohë që kandidatët kanë hedhur këta hapa, janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe prej Komisionit Ndërkombëtar për të siguruar që këto faza kryhen dhe pikëzohen në mënyrën më të drejtë dhe transparente të mundshme.

SPAK beson se këto standarde të larta do të jenë faktorë të rëndësishëm për të siguruar që hetuesit e BKH-së janë të përgatitur dhe të aftë për të kryer punën e vështirë që i pret para”, thuhet në njoftimin e BKH-së.

Shtatë kandidatë e skualifikuar paditën Arben Krajën, kreun e SPAK dhe Aida Hajnajn, drejtuesen e BKH pasi pretendojnë se procesi u manipulua dhe se nuk pati një kufi minimal dhe maksimal të pikëve që duheshin grumbulluar.

 

Të fundit