Flash News

E-TJERA

“Produkt i një farse”, takimi i Ramës me liderët shqiptarë të MV-së ‘ndez’ debate në Shkup

“Produkt i një farse”, takimi i Ramës me liderët

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në Tiranë liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Nuk dihet ende arsyeja e takimit të thirrur nga Rama.

Mirëpo, ftesa e kryeministrit duket se nuk është pritur aq mirë në Shkup, ku janë ‘ndezur’ debate mbi arsyen dhe kohën e takimit.

VMRO-DPMNE-ja ngre dyshime për takimin e liderëve shqiptarë me Ramën. Nga partia e Mickoskit e vendosin theksin te Ahmeti si shfrytëzues i kësaj mundësie, duke thënë që do të mësojë Ramën për agjendën e gjelbër ose do të kemi një platformë të dytë tiranase, raporton Alsat.

“Është interesante se si vetëm LSDM-ja nuk ka asgjë kundër këtij takimi ku për çështjet maqedonase koordinohen në Tiranë. Aliu, siç duket, do ta mësojë Tiranën për agjendën e gjelbër ose Tiranë do të përgatisë një platformë të dytë tiranase të cilën më pas Aliu do ja japë Kovaçevskit? Marrëveshja e vetme që mund të dalë është bashkimi kundër krimit dhe marrëveshje për zgjedhje që populli të mund të vendosë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, LSDM-ja nuk e sheh takimin si problematik, por si një mundësi për të ndërtuar një rajon evropian.

“Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë dhe i popullit maqedonas, Shqipëria është vendi ynë mik me të cilin ecim së bashku në rrugën evropiane dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, jemi bashkë në aleancën e NATO-s, nuk kemi çështje të hapura dhe bashkëpunimi ekonomik është në nivelin më të lartë përmes nismës Ballkani i Hapur. Çdo takim, formal apo joformal, që është në interes të dy vendeve dhe të dy popujve është për ne në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian”, thonë nga LSDM.

Deputeti i pavarur Skender Rexhepi teksa kujton takimin e gjashtë viteve më pare, thotë se edhe takimi i thirrur sot është produkt i një ‘farse’.

“Edhe produkti i atij takimi “platforma shqiptare” ishte dhe mbetet vetëm farsë, pasi që në asnjë cikël të ardhshëm zgjedhor, e njëjta nuk ishte në tavolinë të përbashkët të partive politike shqiptare, e që nuk është as sot para procesit të ndryshimeve kushtetuese. Andaj, është shumë e qartë që Edi Rama nuk ka legjitimitet të mbledh partitë shqiptare për çështjet që i tangojnë shqiptarët këtu në Maqedoni, kjo pasi që, edhe prapa takimit të nesërm, do të rezultojë ndonjë truk i radhës që “do t’ia dëgjojmë zërin nesër”, tha Rexhepi.

Të fundit